Që prej orës 10:30, biznesmeni Behgjet Pacolli ndodhet në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet për Aeroportin e Vlorës. Mësohet se Pacolli po jep shpjegime si person në dijeni.
Biznesmeni ka bërë edhe kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për çështjen.
Dy ditë më parë, Pacolli njoftoi se kishte bërë kallwzim në SPAK ndaj Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Sipas tij “në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe pa asnjë bazë ligjore, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në strukturën e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke regjistruar transferimin e kuotave për të cilat ekziston një masë siguruese gjyqësore e ekzekutuar, një vendim i përmbaruesit gjyqësor i regjistruar në QKB, vendimi i Gjykatës së Lartë dhe në mungesën totale të çfarëdo miratimi tjetër ligjor që do të lejonte një tranferim të tillë”.
Në QKB, rezulton se më datë 19 tetor, ka ndryshuar struktura e aksionerëve, duke i kaluar kompanisë “2A Group”, 40 përqind të aksioneve, nga 2 që figuronte të kishte më parë. Për pasojë, kuotat e Pacollit kanë zbritur nga 98 përqind në 51 përqind.
Pacolli e konsideron këtë “një akt të rëndë abuziv që cenon pronën private, shpërfill autoritetin e gjykatave dhe dëmton rëndë sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri”.
Ai ngre dyshime se pas gjithë kësaj qëndron Vegim Hoxha, administrator aktual i Aeroportit të Vlorës, ku kompania “Mabco” e Pacollit është ortake me “2A Group”, të Valon Ademit, personi tjetër që sipas Pacollit është I përfshirë në manipulimin e të dhënave në QKB.
Lajm në përditësim...











Komente
Komento