Hetimet për ish-zëvendëskryeministren Belind Balluku, kanë çuar sot në Prokurorinë e Posaçme,  dy vëllezërit Olsi dhe Alban Eftimi, të cilët janë aksionerë në studion e arkitekturës “Atelier 4”. Ata u morën në pyetje për orë të tëra. Olsi Eftimi doli pas më shumë se dy orësh, ndërsa vëllai i tij, Albani, vijoi të jepte shpjegime deri pasdite vonë para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Emri i studios së tyre u shfaq në atë që konsiderohet si një ndër provat kyçe të hetuesve për “pronësinë faktike” të Ballukut mbi vilën në kompleksin turistik Green Coast në Palasë, të sekuestruar javën e shkuar. Bëhet fjalë për të paktën dy emaile dërguar nga “Atelier 4” në adresën e postës elektronike të Ballukut, ku flitet për projektin dhe ndërhyrjet në vilë. Tekstet e emaileve lëne të kuptohet qartë se ata kanë patur dhe me herët komunikime me Ballukun për vilën, ndërsa sugjerojnë opsione ndër me luksozet jo vetëm për mjediset e brendshme por dhe pishinën e vasakt e hidromasazhit në oborrin e ndërtesës.

Një element me rëndësi sipas hetimeve, është dhe fakti që emailet datojnë në shtator të vitit 2020, përpara Igli Tare, personi që sipas SPAK-ut ka shërbyer për të fshehur pronësinë e vërtetë të vilës, të firmoste një muaj më vonë, kontratën e sipërmarrjes.

Kontrata e Tares me një vlerë 250 mijë euro, parashikonte ndërtimin deri të karabinasë, ndërsa investimi i mëtejshëm deri në përfundimin e saj, është realizuar sipas Spak, nga Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, kompanisë së shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh).

Vila në Palasë Vila në Palasë, me një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate dhe dy garazhe, është e dyta që SPAK ka vënë në sekuestro, pas asaj në Dhërmi, edhe ajo e dyshuar si fryt i një ryshfeti për një tjetër tender, kur Balluku ishte drejtoreshë e Albcontrol-it.

Balluku është e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), si dhe për korrupsion, pastrim parash, e së fundmi, pas rastit të vilës në Palasë, edhe për “mosdeklarim apo fshehje të pasurisë”.