TIRANË- Një seri kontrollesh të miratuara nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK-ut, u ushtruan këtë të mërkurë pranë familjarëve dhe personave të afërt me ish zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas Burimeve të Report TV, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefona dhe dokumenta të ndryshme. Ndaj Ballukut, nën hetim për tunelin e Llogarasë, dhe lotet e Unazës së Tiranës, prokuroria e posaçme ka nisur dhe një hetim pasuror. Ndërsa mësohet të ketë nisur disa letër porosi dhe jashtë vendit.
***
Me vendimin e Gjykatës në duar, agjentët e BKH kanë trokitur sot në dyert e banesave dhe zyrave të disa personave në rrethin familjar të ish numrit dy të Qeverisë, Belinda Balluku. Të paktën 15 kontrolle mësohet të jenë kryer, sipas kërkesës së prokurorëve të cilët po ndjekin hetimin ndaj saj, nën dyshimet për abuzime me tenderat në disa raste.
Sipas burimeve të Report Tv, kontrollet kanë përfshirë djalin e tezes së Ballukut, sipërmarrësin Mired Reçi, i cili rezulton të ketë patur deri pak vite më parë aksione në të paktën dy kompani “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk. Në të dyja, ortak i tij ka qenë një tjetër familjar i Ballukut, kunati i saj Meland Qirko. Të dy kompanitë i janë dhuruar një personi të tretë, në shkurt të vitit 2020, dhe një muaj më pas aktiviteti i tyre është deklaruar i pezulluar.
Ndaj Ballukut prokurorët po kryejnë dhe një hetim pasuror. Gjatë kontrolleve të kësaj të mërkure, mësohet se janë sekuestruar telefona celularë si dhe dokumente të ndryshme. Në kuadër të hetimit, mësohet se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar informacion jashtë vendit, përmes letërporosive.
Ish zëvendëskryeministrja u mor fillimisht e pandehur në 31 tetor të vitit të kaluar për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Pak javë më pas më 19 nëntor ndaj saj u vendos ndalimi I lëvizjes jashtë vendit, ndërsa kërkesa për pezullimin e saj nga detyra, u shoqërua me polemika dhe një përplasje që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë të qeverisë. Kërkesa u rrëzua pasi Kushtetuesja nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të dalë me një vendim.
Paralelisht hetimet u shtrinë dhe në 7 lotet për ndërtimin e Unazës së Madhe në kryeqytet. Hetime për të cilat SPAK i kërkoi parlamentit më 16 dhjetor dhe autorizimin për arrestin e saj, por pas gati 3 muajsh, shumica socialiste e hodhi poshtë me votë në parlament.
Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kontrolle të shumta u ushtruan në thuajse të gjitha kompanitë që kishin fituar garat për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës. Nën hetim janë dhe të paktën tre procedura të tjera tenderuese. Garat e dyshuara për abuzime, kapin vlera disa qindra milionë dollar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










