"Nuk i druhem përgjegjësisë penale", kështu deklaroi ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj pasi qëndroi për 8 orë e 20 minuta brenda ambienteve të SPAK duke iu përgjigjur 2 prokurorëve dhe oficerëve të BKH pas hetimeve për tenderin e sterilizimit.

Ditën e sotme u paraqit për herë të parë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsion pas një fletëthirrje nga prokurori Edvin Kondilli që po heton prej disa muajsh procedurat e dhënies së tenderave përmes partneritetit publik-privat për koncensionin në shëndetësi, sterilizimin. 

Koncensionet janë dhënë në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqaj, sot në krye të Agjencisë Shtetërore për koordinimin e donacioneve të huaja. Ish-ministri u paraqit herët në dyert e SPAK, vetëm me një çantë shpine, i pa shoqëruar nga avokat. Ai tha se nuk i druhet përgjegjësisë penale. 

Report Tv mëson se Ilir Beqaj është pyetur nga prokurori Kondilli dhe 2 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për mënyrën se si janë lidhur kontratat dhe zyrtarisht nuk është në statusin e të pandehurit mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës, por të personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Para se të hynte në ambientet e SPAK, ish ministri Beqaj kishte një cantë, të cilën e mbante me vete edhe kur doli. Në fjalën e tij të shkurtër para medias u shpreh se kishte materiale pune.

Për të njëjtin hetim është pyetur më herët për 3 herë rresht, ish-zv.ministër i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe anëtarë të komisionit që kanë vlerësuar procedurat e tenderëve.

Ndërkohë në të njëjtën kohë kur Beqaj merrej në pyetje nga prokurorët, zëvendësndihmës Sekretarja e Shtetit Lisa Johnson u takua me kreun e SPAK, Arben Kraja. Përmes një postimi në Twitter, ambasada thotë se SHBA-të janë krenare për bashkëpunim me SPAK dhe presin vizitën e Krajës muajin e ardhshëm në Washington. Ajo thekson se SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar, etj.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:09
U përgjigj për 8 orë para SPAK, ish ministri Beqaj: Nuk i druhem përgjegjësisë penale! Brenda çantës kam materiale pune

 

Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qëndruar për 8 orë e 20 minuta brenda ambienteve të SPAK ku i është përgjgjur pyetjeve të BKH dhe 2 prokurorëve për tenderin e sterilizimit.

Në fjalën e tij para mediave u shpreh: "Jam thirrur në cilësinë e çështjes se jam personi që kam dijeni për rrethanat e çështjes që po ndjek prokuroria për sterilizimin. Kam dhënë dëshminë time para prokurorëve dhe kam dhënë përgjigjet e mia para 2 prokurorëve dhe BKH. Nuk i druhem përgjegjësisë penale."

Beqaj dha një përgjigje edhe për çantën e zezë duke thënë se brenda saj kishte materiale pune.