TIRANE-Komisioni i Ligjeve u përfshi sërish në debate mbledhjen e djeshme në lidhje me projetkvendimin për ngritjen e një grupi hetimor për kryerjen e kontrollit në ILDKP, ku opozita lëshoi sërish akuza për cënimin e institucioneve të pavaruara, edhe pse kreu i këtij institucioni, Zana Xhuka është zgjedhur vetëm me votat e djathta kur ishin në pushtet. Të majtët kanë propozuar emrat për grupin hetimor që do ngrihet për hetimin e veprimtarisë së punës për kryeinspektoren e ILDKP Zana Xhuka, pikërisht tre deputetët e PS Pirro Lutaj, Armando Subashin si dhe Ulsi Manja. PD e refuzoi këtë vendim, duke e konsideruar të gjithë këtë proces si antiligjor dhe antikushtetues e në dëm të funksionimit të institucioneve të pavaruara.

Për këtë arsye demokratët kanë refuzuar që të propozojnë emra që do të ishin pjesë e këtij grupi hetimor për veprimtarinë e Xhukës. “Mendoj se s’mund të vazhdohet më me gjëra qeshrake e sjellje ligjore që po bëhet nga ky komision. Ne besoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë lidhur me këtë çështje dhe në këtë rast nuk është më kryeministri Rama që po e shkel ligjin, por jeni dhe ju si kryetar komisioni. Kërkesa që ne të jemi pjesë e shkeljes së ligjit nuk vlen. Ju lutem mos na bëni pjesë”, u shpreh kreu i grupit të PD, Edi Paloka. Në emër të të majtëve, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj tha se duhet të zbatohet rregullorja e funksionimit të komisioneve parlamentare dhe nga ana e opozitës.

“Ky komisionin e ka bërë debatin për këtë gjë, e ka marrë dhe vendimin. Nëse do ta çmoni të reflektoni bazuar në atë detyrim që u njef rregullorja dhe praktita e funksionimit normal të komisioneve parlamentare do ishte normale, do ishte pozitive. Gjithesesi mbeteni në qëndrimin tuaj”, u shpreh Xhafaj. Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar e Irlandës së Veriut “Për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin”.

Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)