TIRANE, 5 Mars/ATSH/-Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura kryesisht për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentative", të filluar në bazë të deklarimeve publike të deputetit të Tom Doshi, ka marrë gjatë ditës së enjte deklarimet e tij, si edhe materialet mbi të cilat ka mbështetur qëndrimin e shprehur në media.
Në njoftimi  për shtyp, prokuroria bëm me dije se "në bazë të deklarimeve të z. Doshi, i cili ka deklaruar para grupit hetimor se ndaj tij dhe ndaj deputetit tjetër, Mhill Fufi, ka pasur një tentativë për vrasje, Prokuroria për Krime të Rënda e konsideron të rëndësishme për hetimin e plotë të këtij rasti, marrjen e dëshmive nga ana e disa zyrtarëve dhe shtetasve të tjerë, për të cilët z. Doshi është shprehur se kanë dijeni për hetimin"
Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin, Edi Rama,  Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët, Mark Frroku dhe  Mhill Fufin si dhe Eugen Beçi, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Po ashtu, në bazë të deklarimeve publike të bëra sot në sallën e Kuvendit, të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim, Prokuroria për Krime të Rënda fton zyrtarisht të japë dëshminë e tij edhe deputetin Sali Berisha.
Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal kryesisht për këtë rast në datë 03.05.2015, menjëherë pas deklarimeve publike të z. Doshi. Deri në atë moment, në organin e Prokurorisë nuk ka pasur kallëzim penal, por vetëm disa të dhëna indirekte, të cilat nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit penal, në bazë të kerkesave te  Kodit të Procedurës Penale.
Krahas marrjes së deklarimeve të zyrtarëve sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon me kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme proceduriale për të sqaruar plotësisht ngjarjen./a.g/