Trump ka deklaruar se një marrje në pyetje e tij nga Mueller nuk kishte shumë gjasa të ndodhte. Presidenti i SHBA- së e ka cilësuar vazhdimisht këtë hetim si një gjueti shtrigash.
Më herët gjatë kësaj jave u bë e ditur se avokatët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin duke kryer bisedime me Mueller, për të caktuar datën kur do të zhvillohej marrja në pyetje e Trump.
“Nuk ka asnjë provë, askush nuk ka gjetur asnjë provë në asnjë nivel, nuk ka shumë mundësi që të merrem në pyetje”, është shprehur Trump përpara gazetarëve ditën e djeshme.
Për çfarë është duke u kryer hetimi?
Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Rusia u përpoq të ndërhynte në favor të zgjedhjes së Trump president gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, ndërkohë që Robert Mueller, i caktuar special për këtë hetim është duke parë nëse ka prova se ndokush nga stafi i Trump është i përfshirë në këtë gjë. Këto akuza janë mohuar si nga Rusia ashtu edhe nga Presidenti Trump.
Çfarë ka gjetur hetimi deri tani?
Në këtë fazë që është hetimi, është zbuluar se anëtarë të lartë të ekipit elektoral të Presidentit Trump janë takuar me zyrtarë rus, ose ndërmjetës, ku disa prej këtyre takimeve nuk u zbuluan fillimisht.
Ndërkohë nga ky hetim po zhvillohej, Michael Flynn, i cili mbante postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në kabinetin e Trump, pas publikimit të këtyre fakteve ka dhënë dorëheqjen. Flynn u akuza se kishte dhënë deklarata të rreme në FBI për sa i përket takimeve me ambasadorin rus në SHBA.
Gjithashtu edhe këshilltari i Trump, George Papadopoulos e ka pranuar se ka gënjyer FBI- në për sa i përket takimit me ndërmjetës rus.
Në tetor, ish-menaxheri i fushatës së z. Trump, Paul Manafort dhe bashkëpunëtori i tij i biznesit Rick Gates u akuzuan për komplot për të mashtruar SHBA-në në marrëdhëniet me Ukrainën. Të dy mohojnë akuzat, të cilat përqendrohen në marrëdhëniet me një ish president të Ukrainës i cili ishte shumë afër Rusisë.
Hetimi nuk ka kërkuar ende të intervistojë presidentin, por në fillim të kësaj jave mediat amerikane njoftuan se Z. Mueller i kishte thënë avokatëve të presidentit se kishte për qëllim të kërkonte një intervistë. NBC raportoi se avokatët po mendonin ta linin përgjigjen e Z. Trump në formë të shkruar.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com








