TIRANE- Një tjetër skandal zbulohet nga qeveria “Rama”, e që lidhet indirekt me bllokimin prej disa ditësh të serverit qëndror në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo, pas një tentative që është bërë nga shefi i IT në këtë institucion për të ndryshuar apo bllokuar të dhënat që disponon administrata e Tatimeve lidhur me subjektet tregtare në vend. Mësohet se ministri i Financave ka dërguar pranë Drejtorisë së Tatimeve një grup ekspertësh IT për të rikthyer në gjendje pune dhe për të mbrojtur të dhënat nga serveri qëndror në këtë institucion, pasi u konstatua se mbi to ishte vënë dorë.

Skandali është zbuluar vetëm pak ditë më parë, ditën e premte të javës së klauar, kur drejtoresha e përgjitshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, ka lajmëruar uniformat blu, të cilat kanë ndaluar shefin e IT, të cilin ajo e ka kapur në flagrancë duke tentuar që të fshihte të dhënat që gjendeshin në serverin qëndror, duke lënë të dyshohet se mund të fshinte edhe skema të pazbuluara ende të mashtrimit me TVSH, gjoba, detyrime të papaguara, etj. Bëhet fjalë për Renald Ristën, për të cilin është ngritur edhe padia penale nga Drejtoresha e Tatimeve. Përballë këtij skandali, ish-kreu i qeverisë Sali Berisha dje në Kuvend ka lëshuar akuza mbi qeverinë e Ramës se po arrestonte në mënyrë të padrejtë punonjës të administrates, duke iu referuar pikërisht personit të sipërpërmendur.

Gjatë fjalimit të tij, ai u shpreh se ish-punonjësi i IT në Drejtorinë e Tatimeve po mbronte serverin e të dhënave dhe pa procesverbal i janë kërkuar që të japë këto të dhëna. “Është gënjeshtër që keni çuar audit. Sepse në të vërtetë keni çuar dy këshilltarë, kryeministri të vetin dhe ju vëllain e Damianit, Panajotin dhe kur shefi i IT ka kërkuar zbatimin rregullave, akavaja e ministrit të Brendshëm i ka thënë se do të të arrestoj po nuk i dhe. Por si merren këto të dhëna, ku çohen këto të dhëna? 3 ditë në qeli dhe vetëm pastaj i dhanë leje avokatit”, ka qenë qëndrimi i ish-kryeministrit Berisha.

Duket se Berishës i ka djegur zbulimi i manipulimit të të dhënave tatimore. Nga ana e tij, ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se, "manipulimi me shifrat ka bërë që tani të ndodhen pas hekurave dhjetëra punonjës të administratës tatimore. Gjatë vitit 2013, janë bërë 29 ndryshime të vendimeve të këshillit të ministrave, udhëzimeve duke krijuar një situatë të rëndë në administratën tatimore”.

Veliaj: Ja skandali Ksera-Bode për lekët e invalidëve
Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj akuzoi ish-qeverinë e Berishës se ka shpërdoruar fondet që ishin akorduar për personat me aftësi të kufizuar duke i shpenzuar në fushatën zgjedhore. Ai u shpreh se në arkë nuk kishin mbetur 4 mld lekë siç pretendonte PD, por vetëm 747 mln lekë, ku ka zbuluar edhe një letërkëmbim mes ish-ministrit Spiro Ksera dhe Ridvan Bodes për shërdorimin këtyre lekëve.
 
Topalli: Rama feshehu të vërtetën për armët kimike
“Kur premtimet alla Papandreu po bëhen për çështje delikate, siç ishin armët kimike, nuk duhej ta kishe fshehur, por këtë ia fshehe aleancës tënde dhe gjithë Kssuvendit. Të vërtetat duhen thënë edhe nëse mbetesh vetëm, duhet të thuash të vërtetën edhe nëse të sulmojnë.Keni një kryeministër pa dinjitet. Ai mund të ulet për pak kohë në atë karrige, jam e sigurt që do të jetë kohë më e shkurtër seç e keni menduar”.
 
 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)