Një 21-vjeçar në Durrës i dënuar më parë, me inicialet A.D, është arrestuar nga policia për 11 vjedhje të kryera në bashkpunim me një 17-vjeçar me iniciale E.Xh falë operacionit të koduar 'Hijet e Natës'.
Në videon e siguruar nga Report Tv shikohen dy personat që hynë në lokalin në Durrës me maska të vëna dhe përpiqen të hapin sirtarin e kyçur me thikë dhe levë hekuri ku ndodheshin edhe lekët. Lokali në pronësi të A.N. ndodhet në lagjen numër 3 dhe dyshohet se ata kanë marrë 10.000 lekë.
21-vjeçari u arrestua, kurse shoku i tij u vu nën hetim nga policia. Nga hetimet e kryera rezulton se ata gjatë këtij muaji në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht në lokale dhe një dyqan të një kompanie celulare, ku kanë marrë sasi të konsiderueshme parash, aparate celulare e sende të tjera, vjedhje këto të dokumentuara me prova filmike.