Nga Himara, ku ndoqi përgjatë gjithë kohës situatën e krijuar nga zjarri, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, deklaroi se situata është totalisht e qetë dhe nën kontroll.
Ministri Nufi bëri edhe një bilanc të forcave të angazhuara në operacionin për shuarjen e flakëve, të cilat përfshinë një sipërfaqe të gjerë natën e mbrëmshme.
"Nga Himara një situatë totalisht e qetësuar, një situatë totalisht e menaxhuar. Mbi 170 forca nga Forcat e Armatosura, mbi 300 zjarrfikës, mbi 21 zjarrfikëse kanë qenë në territorin e Himarës. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që në orën 6 e gjysmë të mëngjesit", sqaroi Ministri i Mbrojtjes.
Ministri Nufi vlerësoi edhe punën e palodhur të forcave që punuan gjatë gjithë natës.
"Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të menaxhuar situatën e zjarreve. Kanë qenë gjashtë shtëpi, që fatkeqësisht janë përshkuar nga flakët e zjarrit. Nuk ka pasur humbje në jetë njerëzore, nuk ka pasur dëmtime të bizneseve, falë ndërhyrjes dhe përkushtimit të të gjithë efektivëve, qoftë zjarrfikës, qoftë të Forcave të Armatosura, që kanë luftuar përgjatë gjithë natës, deri në qetësimin e situatës sot në mëngjes", theksoi ministri Nufi.
Operacioni në Himarë vijon me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri.
Lajmi kryesor:
Himara pas natës së tmerrit, zjarri shkrumboi 6 banesa! Banorët rrëfejnë betejën me flakët: Ikëm nga shtëpitë, turistët me valixhe në duar (VIDEO)









