Mbeten në gjendje koma dy vajzat e aksidentuara në tragjedinë e Himarës, të cilat ndodhen në Austri për mjekim më të specializuar. Mjeku Luan Nikollari ka deklaruar për ‘Shqiptarja.com’ se dy studentet Eriselda Gubere dhe Florije Peci vazhdojnë të jenë në gjendje koma dhe se nuk është bërë një tentativë e dytë për zgjimin e tyre.

Ndërkaq mjeku Nikollari e ka përshkruar si normale gjendjen shëndetësore të 10 studenteve të tjera që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Sipas tij ditën e hënë do të zhvillohet konsulta me mjekët e këtij spitali për të parë konkretisht gjendjen e secilës prej 10 vajzave të plagosura dhe nëse ndonjëra prej tyre është në gjendje të përmirësuar sa për të lënë ambjentet e spitalit Ushtarak.

Në aksidentin tragjik të 22 majit në Qafën e Vishës në Himarë humbën jetën 13 persona, ndërsa u plagosën 26 të tjerë. Sipas ekspertizës paraprake shkak i aksidentit ka qënë shpejtësia tej normave të lejuara e për pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin e mjetit.
(jd/shqiptarja.com)