Një turist çek është rrëzuar në Gjirin i Filikurit teksa po eksploronte zonën gjatë ngjitjes me litarë.
Si pasojë e rënies turisti ka dëmtuar gjymtyrët. Aktualisht ai është transportuar në spitalin e Himarës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
"Sot, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është marrë njoftim se në vendin e quajtur Gjiri i Filikurit, një turist i cili po eksploronte zonën ishte rrëzuar gjatë ngjitjes me litarë dhe kishte dëmtuar gjymtyrët. Menjëherë u nis drejt tij Njësia Policiore Detare e SPK Dhërmi e cila, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ka lokalizuar turistin çek dhe e ka transportuar me mjetin e policisë kufitare në Portin e Himarës.
Shtetasi i dëmtuar është asistuar gjatë transportit edhe nga shërbimet e urgjencës mjekësore dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Himarës, nën kujdesin e mjekëve.
Policia Kufitare dhe Policia Vendore Vlorë janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve", njoftoi sot policia.