Policia në Himarë, ka proceduar ditën e sotme, 12 persona pasi zaptuan hapësirën publike në plazhin Krorëz.

Sipas policisë, ata kishin zaptuar hapësirën publike duke ndërtuar pa leje 12 objekte të përshtatura si lokale/beach bar, nga ku ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë, duke fshehur të ardhurat dhe shmangur taksat.

Policia ka sekuestruar 300 çadra dhe 480 shezlongë, të cilat janë hequr nga ku ishin vendosur, duke liruar hapësirën publike në plazhin “Krorëz”.

“Në kuadër të planit operacional për kontrollin dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 12 shtetas: B. I., 34 vjeç, A. L., 34 vjeç, V. A., 34 vjeç, A. I., 71 vjeç, I. H., 51 vjeç, E. R., 52 vjeç, A. K., 62 vjeç, Dh. M., 51 vjeç, A. T., 44 vjeç, A. R., 68 vjeç, Dh. K., 69 vjeç dhe M. V., 25 vjeç, të gjithë banues në Sarandë”, njoftoi policia.

Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.