Hipoteka, Rama përplaset me
LSI: Mban peng legalizimet

Hipoteka, Rama përplaset me<br />LSI: Mban peng legalizimet
Edhe nga Vora ku takoi mbështetës të PS, kryeministri Edi Rama ka fshikulluar LSI-në. 

Sipas Ramës, qeveria ka legalizuar falas objektet pa leje të qytetarëve, por ata nuk e regjistrojnë dot pronën pasi Hipoteka, e drejtuar nga një parti tjetër, siç tha ai, i mban peng.  

Ky ishte dhe argumenti i kreut qeverisë pse PS duhet të qeverisë e vetme pas 25 qershorit, pa pasur nevojë për aleatë në bashkëqeverisje. 

Pronat e paregjistruara në Hipoteka, premtoi Rama, qeveria do t'i kthejë në titull pronësie brenda vitit. 

"E dini ju që nga këto 144 mijë legalizime, sot janë 40 mijë familje që i kanë letrat në duar dhe nuk i regjistrojnë dot në Hipotekë? Kjo, sepse Hipotekën e ka një parti tjetër. Çfarë u kërkon partia këtyre 40 mijë njerëzve?

Pse nuk ua nxjerr hipotekën? Sepse ka zgjedhje, do lekë, edhe ka lloj-lloj pazaresh. Bën kaq lekë, duhen kaq vota. Kë ke tjetër fqinj, merr edhe votat e komshiut e mi sill me fotografi.

Tani, këtyre 40 mijë njerëzve unë u them votoni Partinë Socialiste dhe të 40 mijë lejet e legalizimit që keni kaq muaj e ndoshta edhe një vit që i mbani në duar, ne do t’iua bëjmë titull pronësie brenda këtij viti. 
Votoni PS-në dhe do marrë fund historia e regjistrimit të pronës. Çdo pronë do regjistrohet dhe çdo titull pronësie do i dorëzohet pronarit", tha Rama. 

Hipotekat drejtoheshin nga Lëvizja Socialiste për Integrim deri një muaj më parë, para se të arrihej marrëveshja e 18 majit Rama-Basha. 

Megjithatë, Rama vlerësoi punën e koalicionit në disa reforma të rëndësishme të miratuara në këto 4 vite, siç ishte Reforma Administative, ajo në Arsim dhe Reforma në Drejtësi. 



"Fiqon s'e kam mik, të dalë e të kërkojë vota për Edi Ramën"
Rama ironizoi para mbështetësve të PS kryebashkiakun demokrat të Vorës, i cili siç tha kryeministri, del e thotë se e ka mik Edi Ramën. Ai i kërkoi Fiqiri Ismailit që të dalë në fushatë dhe të kërkojë vota për PS-në. 

"Ky Fiqo del nëpër Vorë dhe thotë e kam mik edi ramën, e kam takuar njëherë për ta ndihmuar dhe s'e kam ndihmuar si mik, por se kishte të drejtë, kur i mësynë atje te biznesi. Ç'a miku e kam Fiqon unë?! Nëse vjen dhe iu thotë se më ka mik, i thoni voto Edi Ramën. Ka ardhur momenti, Fiqo, të kërkosh vota për Edi Ramën. Kemi detyrimin që liqenet e Vorës të mos na i marrë tepsia, janë të popullit dhe jo të tepsisë. Mblidh mendjen dhe krushkun ta kesh mirë me shëndet e të keni harmoni familjare, por është fyerje e madhe", tha ai. 

"Mediu hodhi në erë Vorën, e bëri film Hollywood-i"
Kryeministri hodhi akuza të ashpra në adresë të kreut republikan, Fatmir Mediu, duke deklaruar se hodhi në erë Vorën, ndërsa sot vjen dhe kërkon vota. 

Si mund t'i jepni votë Fatmir Mediut? Iu  hodhi në erë dhe vjen e iu kërkon votën. E bëri Vorën film Hollywood-i me gangsterë dhe e hodhi në erë", tha Rama duke iu referuar ngjarjes së rëndë të 15 marsit 2008, kur nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, humbën jetën 26 banorë të këtij fshati.  

Tahiri në Vorë: Ndal partiçkave që korruptojnë të rinjtë shqiptarë
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, zhvilloi një takim me të rinjtë në kryeqytet ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama. 

Tahiri u kërkoi të rinjve të refuzojnë të votojnë për 'partiçkat' siç i quajti ai, pavarësisht asaj që ato ofrojnë.

"Detyra e çdo të riu në datë 25 është t'i thonë ndal korrupsionit me të rinjtë. 

Nëse ju vijnë në klasë dhe ju thonë na bursë falas në këmbim të votës, sapo të kanë korruptuar. Refuzojeni. 

Nëse të vijnë të thonë na një vend pune në këmbim të votës, të kanë korruptuar, refuzoje!

Detyra e të rinjve është t'i thonë ndal çdo partiçke që ka korruptuar të rinjtë. 

Detyra e çdo te riu është jo të shkoni pas partive qorrazi, por të luftoni për liri. Ushtrim lirie nuk është të votosh qorrazi pas partisë, sot ushtrim lirie është të votosh për një shtet më të fortë. 

Ushtri lirie është të votosh për të bërë shtet",
tha Tahiri
tahiri
(Tahiri gjatë mitingut të PS në Vorë)

Duke iu drejtuar të rinjve kreu i PS-së të Tiranës theksoi se është e domosdoshme të bindim të gjithë për të votuar Partinë Socialiste në 25 qershor në mënyrë që të kemi Shqipërinë që duam.

‘’Ka mbetur vetëm dhe një javë dhe Shqipëria do të votojë. Nga sot secili ka një detyrë të vogël. Keni në mendje 10 persona. 

Mbushjani mendjen pasi këta 10 njerëz janë ushtria e madhe për Shqipërinë që duam në datën 25. 

Të votojmë për ata që punojnë jo ata që flenë. Për ata që bëjnë shtet
’", theksoi kreu i PS Tiranë.

Akuzat për hipotekat, LSI: Në 80% të qarqeve kontrollohen nga Rama
LSI i është përgjigjur sot akuzave të kryeministrit Edi Rama i cili bëri përgjegjëse këtë forcë politike për bllokimin e hipotekave të pronësisë për objektet e legalizuara nga ALUIZNI.
 
Rama hodhi akuza nga bashkia e Vorës ku zhvilloi një miting elektoral me mbështetës të PS.
 
Ndërkohë, LSI u përgjigj menjëherë përmes një deklarate për shtyp të nënkryetarit Luan Rama. Ai tha se 80% e hipotekave në qarqe kontrollohen nga njerëzit e emëruar prej Ramës.
 
Në të gjithë bashkinë e Vorës janë 3 mijë familje që nuk kanë marrë dot hipoteka, kjo është një çështje e tepsisë, kryetari i Rilindjes e di shumë mirë por e fsheh të vertetën, që hipotekën në Tiranë dhe në Durrës, në Vlorë në Elbasan dhe në 80 për qind të qarqeve e kanë njerëzit e emëruar prej tij.
 
Unë ftoj 3 000 mijë familjet që të paraqiten nesër pranë bashkisë së Tiranës që të marrin aktet në fjalë, dhe përgjegjësi i zyrës së regjistrimit të pronave të paluajtshme të bëjë gati aktet e pronësisë, të japë aktet dhe të vërtetojnë që këta e bëjnë po e ka pasur fajin LSI.
 
Në kompensim të ndihmës i kërkon që t’i japë votat për Rilindjen. Kjo vetëm sa zgjeron hartën e “Pazarit të Roskovecit” që unë e kam denoncuar dy vite më parë kur u humb bashkia e Pogradecit, e Lezhës e Mallakastrës, të cilat u humbën vetëm prej pabesisë dhe pazarit të Rilindjes.
 
Edhe në Vorë ka bërë të njëjtin pazar si në bashkitë e tjera.
 
Kryetari gjunjë këputur i rilindjes tha se LSI ka ndihmuar vetëm me votat e saj për reformat dhe asgjë tjetër, më lejoni t’ju kujtoj vetëm njërën prej tyre reformën në drejtësi, ideuar dhe konceptuar që Reforma në Drejtësi të shërbente që edhe pushteti i pavarur i drejtësisë të bëhej pronë e Rilindjes, reforma në drejtësi u votua me votën e 140 deputetëve në Kuvend falë këmbënguljes së LSI-së dhe mbi të gjitha Ilir Metës.
 
Kryetari i Rilindjes ka problemin e raporteve me rilindjen se raportet me PS ai i ka mbyllur përfundimisht”
, tha Luan Rama. 

Veliaj: Basha i vetmi kryetar bashkie që i dha vetes leje për shtesë kati
Nga Vora ku morri pjesë në takimin elektoral të Partisë Socialiste, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi votën e zgjedhësve për Edi Ramën, si e vetmja garanci për vijimin e reformave të nisura dhe si i vetmi aleat i pushtetit vendor në realizimin e projekteve që zhvillojnë qytetet.

Ai theksoi se alternativa e socialistëve qëndron përballë alternativës së dështuar të Lulzim Bashës, i cili sipas tij ka dhënë provën se në 4 vite në krye të Bashkisë së Tiranës nuk bëri asgjë.

Sot kemi 2 mundësi, të vazhdojmë përpara me Edi Ramën dhe PS, ose të kthehemi mbrapa, asnjë njeri nuk do të kthehet mbrapa. Sot na vjen kandidat dhe guxon të sfidojë Edi Ramën, ish-kryetari i Bashkisë së Tianës. 4 vjet ora 12 në Tiranë, ngeci Sahati gjumë total dhe sot do të vendosi të gjithë Shqipërinë në gjumë. Në Bashkinë e Trianës në 4 vitet e fundit 90% e vendimeve janë firmosur nga Eno me dy n. Ky njeri dhe një punë që kishte e delegoi te dikush tjetër  se vet ishte i zënë duke vlejtur gjumë. Një njeri që nuk ka ngulur dot nju gozhdë në Tiranë, nuk e bën dot vezën e Edi Ramës”, tha Veliaj.

Ai replikoi edhe propozimin tjetër të deklaruar nga kreu demokratëve për të vendosur tabelë bizneseve që paguajnë taksat, duke theksuar se ky është një proces që ka një vit që zbatohet në Tiranë.

"Po e shikoja dje. Kunati i vet i kishte printuar ca stikera dhe ia vinte dyqaneve që të vërtetonin nëse i ka paguar taksat lokale. I them diçka. Ne në Tiranë kemi një vit që e bëjmë një certifikatë për taksat vendore, dhe nëse i ve stikerat në Vorë, edhe në Kamëz, Le t’i thotë Xhelalit dhe Fiqos që të bëjnë detyrën e  tyre ashtu siç e bëjmë në Tiranë se nuk është kjo punë e qeverisë qendrore", tha Veliaj.

Veliaj theksoi se Basha është i vetmi kandidatë për kryeministër i cili pasi hoqi çekun e bebeve dhe bursat për nxënësit me 10 si kryetar i Bashkisë së Tiranës vjen sot me propozimin për të vendosur vakte falas nëpër shkolla.

“E dëgjova dje tha, kopshtet dhe çerdhet do ti bëjmë të gjitha pa lekë. E dini si ishte vendim i parë pasi vodhi votat, 10 votat në Trianës në 2011, vendimi i parë ishte që të hiqte çekun e bebes që për 11 vjet Edi Rama ja jepte çdo bebe që lindte në Tiranë. E hoqi. Pastaj tha do t’i bëj drekat falas në shkollë. E dini cili ishte vendimi i dytë që mori në Tiranë, pas vodhi votat? Vendimi i dytë ishte që hoqi bursat për të gjithë nxënësit e Tiranës që ishin me 10. Si ka mundësi, një njeri që hoqi bursat e nxënësve, që hoqi çekun e bebes sot ka kurajën të vi të gënjejë në qytete të tjera se ne Tiranë nuk ia mban. Në Tiranë e dinë që është gënjeshtar dhe nuk bën fushatë fare, As ai, as Saliu, as Mediu, nuk dalin këta të Republikës së Re, por vinë në bashki të tjera dhe mundohen ti thonë njerëzve, hajeni sapunin, është djathë, faleminderit shumë, sapun për djathë nuk hamë”, shtoi Veliaj.

Duke folur për çështjen e legalizimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se qeveria e djathtë nuk ndërmori asnjë hap për zgjidhjen e këtij problemi.

Veliaj deklaroi se Lulzim Basha është i vetmi Kryetar Bashkie i cili kur ishte në detyrë i dha leje për shtesë kati vetes së tij e më pas e legalizoi. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka bërë më shumë legalizime seç janë bërë .

“Sot alternativa e republikës së re, që në fakt është gjithçka tjetër përveçse e re, është dikush i cili kur qeveriste nuk bëri asnjë legalizim. Me Artan Lamën, me Esad Vorpsin, kemi bërë legalizimeve më shumë se kurrë më përpara. Dhe kandidati tjetër është i vetmi kryetar bashkia në republikë që ka qenë, i cili i dha leje shtesë kati vetes së vet, objekt për vete i legalizimit. Në Tiranë nuk po i qas njeri. Në Tiranë ata e kanë humbur davanë, në Tiranë nuk takojnë dot njeri se i thonë ju provuam katër vjet dhe mundohen të vijnë të gënjejnë në Kamëz e Vorë. E pse qenka një qytetar në Vorë më pak inteligjent, më pak i zgjuar dhe më pak me dinjitet se një qytetar në Tiranë. Jemi të gjithë njësoj, një gjak, një mendje, një popull. Kush ka gënjyer një herë, dy herë, tre herë, pesë herë në Tiranë nuk duhet të ketë fytyrë të vijë të gënjejë në Vorë”, tha Veliaj.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz