TIRANE- I njëjti institucion që ka miratuar lejën dhe sheshin e ndërtimit për kompleksin “Jon” në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, i ka hapur rrugën e hipotekimit të pallatit në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës, shtetasit Xhafer Isufi. Bashkia e Vlorës, dhe më konkretisht kryebashkiaku Shpëtim Gjika, nëpërmjet një shkrese të firmosur nga vetë ai, në datën 26 dhjetor 2012, ia ka dërguar rreth 7 dokumenta Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke qënë pjesë e njerës prej hallkave të zinxhirit që kanë legalizuar kompleksion “Jon”, i cili tashmë është në diskutim për prishje nga ministria e Transporteve dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Gazeta “Shqiptarja.com”, dsiponon dokumentin e firmosur nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, ndërkohë që personi që e ka konceptuar dokumentin me nr protokolli 3469 është ingjinieri Darjan Hudhra.

Shtatë dokumentat
Bëhet fjalë për shtatë dokumenta që bashkia e Vlorës me firmën e Shpëtim Gjikës, i ka vënë në dispozicion dokumentacionin zyrës së hipotekës. Dokumenti është lëshuar pas kërkesës së dy pronarëve të pallatit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, vjehrri i Lulzim Bashës, të cilët kanë aplikuar për tërheqjen e dokumentacionit original dhe dërgimit të letrave në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Mes shtatë dokumentave që është lëshuar nga bashkia e Vlorës, është leja e ndërtimit nr.5/7 e miratuar në datën 17 gusht 2010, sipas formularit nr.4. Dokumenti i dytë është vendimi i sheshit të ndërtimit nr.5/6 i të njëjtës datë, sipas formularit nr.2. Më tej thuhet se është lëshuar dokumenti i planimetrisë së sheshit të ndërtimit të objektit, duke vijuar më poshtë me planimetrinë  e saktësuar të sheshit të ndërtimit të objektit. Një tjetër dokument që është nxjerë nga bashkia e Vlorës është dhe proçes-verbali i kolaudimit të objektit të mbajtur nga ingjinierja Ferzilet Hajderi me liçensë MK 0165.

hipotekimi i kompleksit JON e leshuar nga shpetim gjika

Proces-verbalet
Ndërkohë një tjetër dokument është dhe proces-verbalet për akt-kontrollet për fazat e zabtimit të punimeve ndërtimore mbajtur nga specialisti i Drejtorisë së Planifikimit Urban Ingjinierja Topografike Merita Tartari. Po kështu në pikën 7 të dokumentit të lëshuar nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, thuhet se janë dërguar dhe dokumenta të tjera që përcaktojnë dhe individualizojnë objektin e ndërtuar. Të gjithë këto dokumenta janë lëshuar në kohë të ndryshme nga ana e bashkisë së Vlorës, ku nëpërmjet të cilave është ndërtuar kompleksi “Jon” dhe që sërisht përmes këtyre dokumentave pallati që në Vlorë njihet si “pallati i Lulzim Bashës”,më pas është hipotekuar.

Qëndrimi i Gjikës Dëshmia në prokurori: Po unë votova “pro” pallatit
Kryebashkiaku Shpëtim Gjika në dëshminë e dhënë para një Oficeri të Policisë së Vlorës ka pranuar se ka votuar “Pro” ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë një seance marrje në pyetje në prokurorinë e Vlorës, ku para oficerit Alket Sulejmani ka deklaruar se votën e tij e ka hedhur “Pro” ndërtimit të kompleksit “Jon” në bregun e detit, pranë zonës së “Ujit të Ftohtë”.

Në dëshminë e tij Gjika shton se gjatë mbledhjes së 17 gushtit 2008, për këtë rast ka kërkuar informacion nga Sekretaria e Këshillit Teknik, i cili ka qënë të mos kalojë si projekt. Por njëherësh sipas Gjikës, ky këshill ka dhënë mendim me shkrim të diskutohet në KRRT-në e bashkisë. Ndërkohë që pyetjes së oficerit se pse kishte mospërputhje lidhur me miratimin e projektit të ndërtimit, pasi në dokumentacion rezultonte një godinë banimi me 1-3-4+1 kat papafingo dhe një godinë tjetër 1-4-5+1 kat papafingo +1 kat nëntokë dyqane, kryebashkiaku Gjika ka deklaruar se besonte se një pasaktësi e tillë është bërë gabimisht dhe se me zbardhjen e formularëve në mbledhje e KRRT-së meret sekretaria teknike.    
 
    
  Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)