DURRËS- Një situatë shqetësuese është evidentuar së fundmi në Forumin Bizantin të Durrësit, një prej monumenteve më të rëndësishme historike të qytetit. Ky sit arkeologjik, i ndodhur në zemër të Durrësit, përfaqëson një dëshmi të vyer të zhvillimit të Dyrrahut gjatë shekujve të parë të erës sonë.
Megjithatë, vihet re se fëmijët e lagjes luajnë mbi dhe rreth rrënojave dhe po shkaktojnë dëmtime në strukturat e monumentit. Arkeologia Brikena Shkodra ka ngritur shqetësimin se disa prej të miturve po largojnë gurë nga muret antike, duke cenuar stabilitetin e tyre.
Sipas saj, në disa pjesë të monumentit janë shfaqur çarje, ndërsa ndërhyrjet e vazhdueshme mund të sjellin pasoja serioze.
“Materiale që kontribuojnë në qëndrueshmërinë e murit janë lëvizur dhe përdorur nga fëmijët pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun që krijojnë. Kjo mund të çojë në shembjen e strukturës, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe duke shkaktuar dëme të pakthyeshme në monument”, tha arkeologia Brikena Shkodra per mokrofonin e Report TV.
Për të sensibilizuar qytetarët, veçanërisht prindërit dhe fëmijët, pranë rrethimit të Forumit Bizantin janë vendosur tabela informuese me mesazhin: “Mos luaj me historinë – ruaj monumentin!”, një nismë e Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Arkeologjisë.
Për këtë çështje, Shkodra ka njoftuar zyrtarisht institucionet përgjegjëse dhe ka kërkuar ndërhyrje konkrete për të shmangur incidente të mundshme në të ardhmen.
Një tjetër problem mbetet edhe depozitimi i mbetjeve urbane në zonën e monumentit. Shkodra apelon për më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri nga qytetarët, në mënyrë që ky aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të ruhet dhe të mirëmbetet.
Forumi Bizantin vizitohet çdo ditë nga turistë vendas e të huaj.
Komente







