Hiqet ekskluziviteti i "Nënë Terezës"
Situata e monopolit drejt zgjidhjes

Hiqet ekskluziviteti i Situata e monopolit drejt zgjidhjes">
TIRANË - Çdo operator ndërkombëtar i njohur do të ketë mundësinë që të dorëzojë pranë qeverisë shqiptare ofertën e tij për ndërtimin e një aeroporti të ri në vend, me kushtin që të jetë 100 kilometër larg nga aeroporti i Rinasit. Deklarata u bë dje nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj në komisionin parlamentar për “Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin”, ku ishte i ftuar për të prezantuar “Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018”.

Ahmetaj deklaroi se është firmosur një marrëveshje për mundësinë e krijimit të një aeroporti të dytë në vend nga ana e qeverisë dhe tani mbetet që kjo marrëveshje të firmoset nga koncesionari i aeroportit të Rinasit. “Ministri i Transportit dhe Ministri i Ekonomisë kanë firmosur pjesën e tyre të marrëveshjes për liberalizimin. Dua të ndaj me ju që dokumenti është për procedurë në bordin e koncesionarit dhe menjëherë vjen në qeveri dhe pastaj ndjek rrugën në parlament”, tha kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas ministrit Ahmetaj, negociatat me koncesionarin gjerman të aeroportit të vetëm në vend janë mbyllur me sukses.

“Është mbyllur negociata me sukses, është realizuar heqje e ekskluzivitetit me një rreze 100 kilometrash, dukë përjashtuar dhe Vlorën. Pra, aeroporti i Vlorës një, aeroporti i Kukësit dy dhe çdo lloj aeroporti tjetër mund të ndërtohen, mund të jenë ndërkombëtarë dhe që nga ky muaj ne mirëpresin oferta që do të bëhen në bazë të ligjit nga operatorë ndërkombëtarë të njohur, për të ndërtuar aeroporte të ndryshme jashtë rrezes 100 kilometrashe”, tha Ahmetaj. “Pra, ky është fakti”, nënvizoi ministri i Zhvillimit Ekonomik. 

Ndërsa, burime nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës thanë se marrëveshja është ende në procesin e konsultimit me ministritë e linjës. Burimet thanë se do të shihet mundësia për të ndërtuar një aeroport në Vlorë, pasi ky destinacion nuk është më larg se 100 kilometër nga aeroporti i Rinasit.

Aerodromi i Kuçovës i kalon Ministrisë së Transporteve
Aerodromi i Kuçovës kalon nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes në varësinë e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Vendimi u morr në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Sipas vendimit, aerodromi që ndodhet midis Kuçovës dhe Urës Vajgurore, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 8.643 m² do të kalojë nga administrimi i “Ministrisë së Mbrojtjes te Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, për ta përdorur për ndërtimin e rrugës kombëtare automobilistike Lushnjë-Berat. Sipërfaqja e aerodromit do “të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës”, thuhet më tej në vendimin e qeverisë.

Sipas vendimit, Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së aerodromit, t’i tjetërsojnë ato ose t’ua japin në përdorim të tretëve. “Për sigurinë e fluturimeve të bazës ajrore të dislokuar në pronën nr.1019, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4030, aerodromi”, me vendndodhje në Urën Vajgurore, Berat, në segmentin rrugor që prek gjurma e rrugës, për ndalimin e qarkullimit në rastet e operacioneve ushtarake ajrore, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të vendosë semaforë, të ndërtojë një nënkalim për lidhjen e komunikimin me të dyja pjesët e pronës që i ndan segmenti rrugor dhe përgjatë segmentit rrugor, të mos ndërtojë asnjë vendqëndrim, si dhe të vendosë barriera anësore për të bërë të pamundur komunikimim e këmbësorëve e të mjeteve me pjesët e pronës së bazës ajrore.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, para fillimit të punimeve, të hartojë aktmarrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim, që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.
Fjala e Ministrit Ahmetaj sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisin 

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Ndodh në Korfuz, ena prej balte hidhet nga bashkia mbi kokën e së resë

Ndodh në Korfuz, ena prej balte hidhet nga bashkia mbi kokën e së resë