Hiqet legalizimi i dokumenteve
Shqipëri-Belgjikë, kursehen 20 euro

Hiqet legalizimi i dokumenteve<br />Shqipëri-Belgjikë, kursehen 20 euro
Të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Belgjikë nuk do të kenë më nevojë që të legalizojnë dokumentet e tyre, në përfaqësitë diplomatike, pasi Belgjika ka vendosur që të heqë detyrimet për legalizimin e tyre në Shqipëri, duke iu kursyer qytetarëve kohë dhe para.

Kjo është arritur pas përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që Belgjika të pranojë reciprokisht regjimin e Apostille-s përpjekje që kanë zgjatur disa vite.

Pala belge, duke marrë në konsideratë modernizimin e lëshimit të dokumenteve nga administrata shqiptare dhe garancitë e rregullshmërisë së tyre, vendosi të heqë rezervat e vendosura në vitin 2003 për zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s.

Nëpërmjet këtij vendimi përmirësohen ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente në Belgjikë ose anasjelltas.

Për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare dhe që do të paraqitet në Belgjikë nëpërmjet këtij vendimi do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet belge, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe koha e pritjes do të përgjysmohet.
 
Gjithashtu, dokumentet e prodhuara nga autoritetet belge, për të qenë të vlefshme në Shqipëri, duhet të legalizohen me vulën Apostille të lëshuar nga institucionet belge, pa pasur nevojë të legalizohen pas kësaj në Ambasadën e RSH-së në Bruksel. Edhe në këtë rast, kursehen 20 euro/dokument dhe ulet ndjeshëm koha e pritjes.

Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të reformës së shërbimeve konsullore dhe përmirësimit dhe përshpejtimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, po vijon përpjekjet e saj për heqjen e legalizimit të dokumenteve edhe me vende të tjera të BE-së ku jetojnë shtetasit shqiptarë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës