Në një jetë mes sfidave dhe paragjykimeve, Eduart Koçi nga Fieri vjen si një dëshmi se arsimi dhe vullneti mund të ndryshojnë çdo stereotip të vendosur nga shoqëria. 50-vjeçari rom, sfidoi çdo vështirësi dhe arriti t’i përfundonte studimet e larta për drejtësi në moshën 35-vjeçare.
“Studimet në Juridik i kam bërë vonë, duke qenë i martuar me tre fëmijë dhe me vështirësi të mëdha ekonomike. E bëra këtë sepse ndihesha i diskriminuar dhe kisha nevojë të informohesha për ligjet shqiptare", thotë Eduard Koçi.
Dijet, i vuri në dispozicion për komunitetin të cilit i përket.
"Kam punuar shumë për certifikimin e tokave, sidomos për komunitetin rom në Baltëz, ku mbi 60 familje kanë bërë certifikimin e tokave që prej 30 vitesh nuk i dispononin me letra. Kam bashkëpunuar fort me kadastrën e Fierit dhe kemi paguar një topograf privat për këtë proces”, thotë Eduard Koçi.
Por për të mbajtur familjen, ai preferoi të zgjidhte bujqësinë duke u organizuar edhe me pjesëtarë të tjerë të komunitetit rom.
"Këtu e pesë vjet ne kemi kultivuar grurin dhe misrin, i cili ka të ardhura shumë të mira, por ditët e fundit kemi pasur probleme sepse plehrat dhe farat janë shumë të shtrenjta. Kjo ka ndikuar që të ardhurat të mos jenë aq të konsiderueshme sa mendonim.”, tregon ai.
Me katër fëmijë për të rritur, njëri prej të cilëve me autizëm, mungesa e shërbimeve të specializuara në Fier ia shton edhe më shumë vështirësitë.
“Kam katër fëmijë, dy goca dhe dy djem. Njëri prej tyre është autik, 21 vjeç, dhe vuajmë sepse nuk kemi një qendër në Fier. Shteti shqiptar nuk ka kapacitetet apo personat e duhur të trajnuar.", thotë Koçi.
Koçi mbetet një zë i fortë për komunitetin rom.
"Mesazhi im në këtë ditë është se arsimi dhe aktivizmi janë kryesorë që zëri ynë të ndihet kudo në institucionet shqiptare, pasi kjo na çon vetëm përpara.", thotë Koçi.
Integrimi i romëve mbetet një sfidë kombëtare. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hedhur për konsultim publik Planin e Veprimit 2026-2030 për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje të romëve dhe egjiptianëve. Me një buxhet 2 miliardë lekë, në fokus të planit do të jenë programet sociale dhe shërbime direkte për komunitetet rome dhe egjiptiane, ndërsa pjesa tjetër për investime infrastrukturore.
Zëvendësministrja Ina Majko, thekson se arsimi është hapi i parë drejt përfshirjes, por punësimi është ai që garanton dinjitetin.
“Ne duam të bëjmë një plan se si romët, të cilët sot janë pa punë por që janë fuqi punëtore, mund t'i thithë tregu privat i punës. Ne nuk kemi përse marrim persona që vijnë nga një shtet tjetër, që nuk e dinë gjuhën dhe kulturën, ndërkohë që kemi pjesëtarë të komunitetit rom që janë rritur këtu dhe rrisim ekonominë e vendit tonë duke i nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike.”, tha Ina Majko.
Ajo nënvizon se sfidat shtrihen edhe te shëndetësia dhe shërbimet bazë.
“Kemi parë si problem fenomenin e lindjeve në shtëpi për shkak të frikës që komuniteti ka për të shkuar në maternitet. Jemi duke punuar për ndërgjegjësimin dhe ndihmën ligjore falas”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë.
Si zv.ministrja e parë rome ajo kishte edhe një mesazh për të gjithë komunitetin.
“Unë nuk dua që njerëzit të më duan sepse jam rome; dua thjesht të na respektojnë, të marrim shërbime të barabarta dhe të jemi të njëjtë me të tjerët”, përfundoi ajo.
Komente










Mbaroi juridikun e tani punon fermer. Nese nuk kapni dot ironin e fatit ketu nuk e di ca te them. Do te ishte mire qe te na mbante nen pushtim Italia.
Përgjigju