Historia e Festivaleve/ Cilët janë këngëtarët që ngritën në pedestal polifoninë gjirokastrite dhe ç’kujtojnë ata nga koha e artë e suksesit

Historia e Festivaleve/ Cilët janë këngëtarët që ngritën në pedestal polifoninë gjirokastrite dhe ç’kujtojnë ata nga koha e artë e suksesit

Xhevat Abdalli dhe bilbilat e këngës gjirokastrite

“Përmbi male këngët ngriti, gjerdan ar gjirokastriti, Hulo e Xhevat Abdalli, Lavo e Nustret Çarcani, Isuf Rami Asqeri, zëri i tyre simfoni”.

Kënga, bashkëudhëtari më i ngushtë i jetës, i bashkoi sup më sup si vargmalet që rrethojnë qytetin e gurtë, djemtë dhe burrat e këtij qyteti; Elmaz Konjari, Namik Jaho, Laze dhe Sako Lelo, Sami Shupo e disa vite më vonë, Hulo Tartari, Ramil e Isuf Asqeri, Sulo Çuberi, Burhan Beu etj. Ata janë të shumtë, por mbi të gjithyë shquan ai, virtuozi i polifonisë gjirokastrite, Xhevat Abdalli, emrin e të cilit e mbajti në vite Grupi i Burrave dhe më vonë, Grupi i Pleqve të qytetit të Gjirokastrës.

…Kronika e viteve 1920-1930 e cilëson  grupin e burrave të Gjirokastrës si “një nga më të dukurit në trevën e Jugut”. Kronika flet edhe për pjesmarrjen e tij në dasmën e mbretit Zog me princeshën Gjeraldinë. Isua gjirokastrite, e përfaqësuar nga Xhevat Abdalli dhe burra të tjerë të qytetit, ishte aty prezente, krahas lahutës, çiftelisë, dajres, daulles e lodrës.

Vitet e pushtimit nazi-fashist, që erdhën më pas, nuk e ndrydhën dot këngën e Grupit të Burrave të këtij qyteti, nuk “ia prenë dot krahët për ta mbyllur atë në kafazin e errësirës”. Kënga gjirokastrite gjëmoi me gjithë forcën e pasionit dhe shpirtit artistik të Xhevatit dhe të grupit të tij. Në fondin e artë të “Studio-Berlinit”, deri disa vite më pare, ka egzistuar një disk me këngë të grupit karakteristik të Xhevat Abdallit. Gjatë viteve pas çlirimit të vendit, krijimtaria e këtij grupi u pasurua edhe më tej, që nga këngët e dasmave e gëzimeve: “Me shëndet baba se ika, hallall buka, hallall kripa; të ma bëç hallall moj nënë, qumështin që më ke dhënë”; te këngët e ngashërimit: “Nënë do më marrë malli, gjersa të vete te varri dhe në varr kudo të jem, mendjen te ti do ta kem”, e deri te këngët humoristike: “Moj krushkë hundë pafidhe, sherbet pa karafile, moj si s’pate një kacidhe, që ta bleje karafile”. Gjatë dekadave të komunizmit nuk munguan këngët kushtuar Partisë dhe Enverit: “Gjirokastra në një brinjë, lindi Bajon dhe Çerçizë, lindi dhe shumë të tjerë, por mbi të gjithë lindi Enverë”.

Visaret folklorike të qytetit të Gjirokastrës tërhoqën vëmëndjen e opinionit mbarë shqiptar dhe atij të huaj, falë paraqitjes dinjitoze edhe të grupit të burrave të Xhevat Abdallit në festivalet folklorike kombëtare, që u zhvilluan në kalanë madhështore të qytetit. I paharruar, veçanërisht, ka mbetur për pjestarët e këtij grupi fund-shtatori i vitit 1964, kur për 13 ditë rresht, grupi regjistroi në Institutin e Folklorit në Tiranë, jo pak, por plot 117 këngë, që kanë hyrë në fondin e artë të këngëve polifonike jugore. -Viti 1978-tregon Viktori, i biri i Xhevat Abdallit-ka qënë një nga momentet më të gëzueshme të jetës së babait tim, kur atij iu dha titulli “Artist i Merituar”, akorduar nga Kuvendi Popullor. Ishte ky i pari titull artistik i këtij niveli që jepej ndonjëherë në Gjirokastër dhe që nderonte jo vetëm marrësin e grupit, Xhevatin, por të gjithë pjestarët e tij. Shtatlartë, burrëror, me melodicitetin e zërit të tij, në vitet që erdhën, Xhevat Abdalli fitoi admirimin e mijra artdashësve brenda e jashtë vendit.

Karakteristikat e këngës polifonike gjirokastrite,

Kënga burimore gjirokastrite ka karakteristikat e saj, si nga përmbajtja edhe nga muzika. Ajo merret ndryshe nga të tjerat, zgjatet shumë; refreni i saj kthehet e stërkthehet dhe notat e saj janë më të thella. -O Gji-moj-gji-ji-ro-jo-kas-tra me vu-lë, çe-bë-re She-mo-haj-du-në.

Kënga gjirokastrite është e vështirë. Këtë vështirësi, ndër të parët, e pat vënë re gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, kur në fund të viteve ‘30 shkruante: “Duhet pikësëpari të kemi parasysh se këto këngë normalisht nuk fliten, as recitohen, por këndohen me zë dhe shpesh herë në valle.. Ky vers, kur këndohet me zë, merr një dukje tjetër duke futur patrikla të tilla si “Oh”, “More”, “Vaj”, “Hej”, etj. Kështu vargu trokaik 8-rrokësh i këngës labe, pjesërisht me anë të këtyre patriklave dhe pjesërisht me zgjatjen dyfish të zanoreve, bëhet varg 16 rrokësh. (Eqrem Çabej-studime gjuhësore, vëllimi 5, faqe 128).

Në një intervistë të veçantë zhvilluar para disa kohësh me Sheh Jonuz Shehun, njërin prej pjestarëve të grupit të pleqve të Gjirokastrës, ai është shprehur: “Dunavati, Manalati dhe Palortoja kanë qënë lagjet e këngës gjirokastrite. Më vjen keq, por tani kënga gjirokastrite e sidomos vallja e këtij lloji po humbet. Kur isha i ri shihja të rriturit që e nisnin këngën në darkë dhe e mbaronin në mëngjes. Sa mirë që na vente kënga atëhere, sidomos në netët e Bajramit, aq sa ne na dukej sikur kishim gjithë botën me vete. Pse t’i humbasë Gjirokastra këto byzyliqe të bukura? Qëmoti kënga këndohej me breza dhe veç burrat, veç gratë, veç të rinjtë e veç të vjetrit. Isua e këngës, që të vejë mirë, kërkon “e” në dhe “o”-në. Në iso nuk shkon as “i”-ja, as “o”-ja dhe as “u”-ja. Ky është sekreti i isos. Nuk është e kollajtë ta këndosh këngën gjirokastrite as për marrësin, kthyesin, hedhësin apo mbajtësin. Asnjeri prej pjestarëve të grupit nuk vlen pa tjetrin. Kështu, Xhevat Abdalli nuk mund të këndonte dot pa Skënder Tushen apo Lavo Erindin.

Vazhdimësia.

Edhe pse koha ka bërë të vetën, “palca” e këngëve gjirokastritë vazhdon të mbijetojë e të këndohet edhe sot. Këngë të tilla si: “Ç’ka sokaku që gjëmon”; “Më rrite baba, më rrite”; “Ç’u bë Dunavati sterrë”; “Qaj me lot vasha jetime”; “Aman trëndafile, aman borzilok”; nën interpretimin e grupit të dikurshëm të të rinjve, sot grupit të burrave, kanë marrë e marrin vlera të reja duke të shkaktuar emocione të forta, sa herë që i dëgjon. Nga ana tjetër ndryshimet demografike dhe ndikimet e medias elektronike kanë bërë që repertoi i këngëve gjirokastrite, veçanërisht i atyre lirike, të jetë në ndryshim të përhershëm. Përkundër pëlqimeve orientale, në këngët gjirokastritë të grupeve të Arjan Shehut, Roland Çenkos etj., këndohen këngë që kanë vargje me prirje perëndimore europiane si: “Të kam thënë, moj nazemadhe, vish rrobat si pariziane, leshërat si evropiane”. Këta bartës të këngës folklorike, gjithnjë e më shpesh po familjarizohen edhe me polifoninë labe të trevave të tjera të grupeve si ai i Bënçës, Pilurit, Lapardhasë së Vlorës, Dhërmiut, etj. “Folku gjirokastrit është i mrekullueshëm, por ai duhet gdhendur si druri në pyll që, po ta përpunosh, del një model i bukur”. Kështu shprehet studjuesi Duro Shehu në kujtimet e tij. “Bota çmendet për folkun e përpunuar irlandez. Folku i Xhevat Abdallit, Hanko Fules, Arjan Shehut, Roland Çenkos e sa e sa këngëtarëve të tjerë, i përpunuar bukur, do të krijojë perla të vërteta këngësh” thotë ai.

Dhe këngë të tilla nuk janë të pakta. Ato janë të pafundme si një ujvarë që, Rrapi i Moçëm i Klubit të Gjuetarëve, i ka mbledhur në diskun e tij të artë. 

"Kënga gjirokastrite është e vështirë. Këtë vështirësi, ndër të parët, e pat vënë re gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, kur në fund të viteve ‘30 shkruante: “Duhet pikësëpari të kemi parasysh se këto këngë normalisht nuk fliten, as recitohen, por këndohen me zë dhe shpesh herë në valle.. Ky vers, kur këndohet me zë, merr një dukje tjetër duke futur patrikla të tilla si “Oh”, “More”, “Vaj”, “Hej”, etj. Kështu vargu trokaik 8-rrokësh i këngës labe, pjesërisht me anë të këtyre patriklave dhe pjesërisht me zgjatjen dyfish të zanoreve, bëhet varg 16 rrokësh."

“Folku gjirokastrit është i mrekullueshëm, por ai duhet gdhendur si druri në pyll që, po ta përpunosh, del një model i bukur”. Kështu shprehet studjuesi Duro Shehu në kujtimet e tij. “Bota çmendet për folkun e përpunuar irlandez. Folku i Xhevat Abdallit, Hanko Fules, Arjan Shehut, Roland Çenkos e sa e sa këngëtarëve të tjerë, i përpunuar bukur, do të krijojë perla të vërteta këngësh” ..

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sali &Feriz Krasniqi: 02/07/2023 23:53

    Festivalet e mëdha të folklorit duhet të mbajnë gjallë këngë të trashiguara me shekuj sidomos ato me karakter trimërie ku me këndim dhe tekste tepër perfekte i kanë sjellë dëgjuesve heroin para syve ku janë dallu dueti legjendar Drenofci pastaj grupi i Qamilit të vogël ...si psh Kënga e Sali Agës Osman Daka More Rrustë i biri Hysenit ç'po përzihen Perzereni pastaj këngë lirike këngë nizamësh ...

    Përgjigju
  • ivi: 02/07/2023 20:11

    polifanija eshte e vjeter po aq as eshte populli yne.me pelqen shume polifonija por kur degjoje fjal te huazuara me ben te ndjehem i pa plotesuar.me duket si kur na mungojne fjalet ne gjuhen shqipe.qeveria duhet te ndermar hapa perpara per ta ndaluar hibritizimin ne kenget polifonike por gjithashtu dhe ato rapsodike.

    Përgjigju
  • Ilir: 01/07/2023 21:45

    Kenget Polifonike e Festivalet Folklorike jane IDENTITETI i Shqiptareve ndershekuj dhebduhen Trasheguar, ruajtur e kenduar ndër breza të ardhshëm.. Bravo Festivalit Gjirokastres kete vit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Afera Partizani/ SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin që shqyrton ankimimin

Afera Partizani/ SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin që shqyrton ankimimin