Një motor i prodhuar në vitin 1937 i ka mbijetuar Luftës së Dytë Botërore dhe sot gjendet në shtëpinë e koleksionistit fierak, Ferman Bendaj.
“Motori është përdorur në luftë. I prodhoi Rusia në vitet ‘30 e më pas Gjermani. Ka fuqi të lartë, 750 kuaj fuqi”, tha ai për Report TV.
65-vjeçari tregon për Report TV se motorin e bleu i ati, Halim Bendaj, nga ushtria komuniste në vitet 60- të. Ajo që për të tjerët ishte skrap, për të ishte një pasuri me vlerë. Me kujdes e përkushtim, motorit iu rikthye pamja origjinale.
“Ushtria jone e shiti me kile, - thotë Fermani, - dhe babai e bleu lirë. Nga një mjet i vjetër transporti ai e ka kthyer në një mjet me vlera te rralla historike”.
Ferman Bendaj, shprehet se deri ne vitet ’90, kur mjetet ishin të pakta, ky motor ka shërbyer për argëtimin e fëmijëve të lagjes, por edhe si mjet udhëtimi për gjithë familjen. Madje dhe si ambulancë në rast urgjencash.
“Si atehere dhe sot, ndihem i privilegjuar"- rrëfen plot emocion Fermani, - "pasi kudo ku motori ndodhet rrëmben admirimin e njerezve. Çdokush dëshiron të bëjë foto me të”.
Babai ia ka lënë amanet që motorin e Luftës së Dytë Botërore, t’ua trashëgojë fëmijëve, ndërsa Fermani e ka shtuar koleksionin, duke blerë dhe një motor tjetër të vitit 1937, të cilin e ka restauruar vetë.
“E mora të vjetër dhe të ndryshkur por sot i kam dhene kete pamje krejt origjinale tregon plot emocion Fermani, i cili tashmë ndihet mëse i plotësuar që ky pasion për motorrat e vjetêr është trashęguar jo vetëm te djemtë por dhe te nipi 5- vjecar”, thekson koleksionisti.
Ferman Bendaj nuk i shet këta motorë për asnjëlloj arsye, sepse disa gjëra nuk kanë çmim!
Komente

