Namazgjaja ka qenë një fushë karakteristike e Tiranës ku myslimanët kanë falur namazet me rastin e bajrameve. Selvitë qindravjeçare flasin për lashtësinë e saj. Ajo është e vjetër sa vetë Tirana dhe u caktua si e tillë nga Sulejman Pasha, i cili ndërtoi ndërtesën e parë të Tiranës, xhaminë me emrin e tij. Kjo hapësirë është dëshmitare e ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912, si dhe e shumë ngjarjeve të rëndësishme të historisë së kryeqytetit. Këtë ditë Tirana e pret prej shumë vitesh, kur edhe revista zyrtare e Komunitetit Mysliman “Zani i Naltë” e vitit 1938 e shtronte si problem në një kohë kur Tirana numëronte vetëm disa mijëra banorë dhe kishte 40 xhami.