HISTORIA nga viti 1991/ Një
ministër për herë të parë në pranga

HISTORIA nga viti 1991/ Një<br />ministër për herë të parë në pranga
TIRANË - Fillon me “këmbë të mbarë” procesi i dekriminalizimit. Me sa duket drejtësia e ka ngritur “stekën” më lart se deri më tani, duke arrestuar ish-ministrin e Punës në qeverinë ‘Berisha’, shumë të akuzuarin Spiro Ksera. Për herë të parë në këto 25 vite është vënë në pranga një ministër për korrupsion, duke paralajmëruar se tashmë se rruga është e hapur për të ndërmarrë aksione të tjera, që do të t’i jepnin fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë për korrupsion.

Bëhet fjalë për një arrestim mbi një abuzim me fondet e fëmijëve në nevojë, romëve e të moshuarve përmes dhënies së fondeve për aktivitete fiktive. Dhe nuk janë pak, por mbi 30 milionë lekë të reja me të cilët ish-ministri ka abuzuar, por që me tepër se për shkallën e përfitimit, rëndësi ka fakti se është bërë realitet arrestimi i një ministri për korrupsion, kërkesë kjo jo vetëm e qytetarëve shqiptarë, por edhe e ndërkombëtarëve që e shohin ecjen para të drejtësisë me faktin e barazisë para ligjit dhe vënien në pranga të zyrtarëve të lartë për korrupsion.

Pasi deri më tani ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë akuzuar për abuzim me pushtetin, por arrestimi i tyre ka qenë gjithnjë në tentative, pa mundur të mbyllët në qelitë e burgut asnjë prej tyre. Aktualisht janë nën hetim dy ish-ministrat e Ekonomisë në qeverinë “Berisha”, Genc Ruli dhe Florian Mima si dhe ish- ministri i Financave Ridvan Bode, të cilët presin përfundimin e hetimeve për ta kopsitur dosjen dhe dërguar në gjykatë, ndërkohë që gjatë këtyre viteve kanë dështuar përpjekjet për të dërguar ministra në burg për korrupsion. Ndërkohë ndaj ish- ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj ka nisur procesi gjyqësor ku prokuroria e akuzon për licencimin e universiteteve private.

ministrat

Tentativa e parë është në fillimin e viteve ’90 me arrestimin e ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS Fatos Nano për abuzim me ndihmat italiane, dhe që për ndërkombëtarët rezultoi arrestim politik nga ish-presidenti Sali Berisha. Ky proces përfundoi me pafajësi në gjykatë. Po kështu dhe ish-kreu i qeverisë së stabilitetit Vilson Ahmeti, u dënua por fitoi pafajësinë. Pas kësaj, vihen nën hetim dy ish-ministrat e qeverisë “Meksi” në qeverisjen e parë të PD, Genc Ruli dhe Rexhep Uka të akuzuar për aferën e drurit të Arrës që i shpëtojnë burgut vetëm falë dhe votave të opozitës së atëhershme që në Kuvend mohuan heqjen e mandatit të deputetit.

Ndërkohë që në qeverisjen e PS nën hetim vihet ish-ministri Dritan Prifti për korrupsion, por u pushua çështja. Nën qeverisjen e PD nën hetim është vënë ish-ministri i Transporteve, aktualisht kreu i PD Lulzim Basha për aferën 220 milionë ero të rrugës së Kombit, por herë me raport, herë me vizita jashtë vendit, çështja u zvarrit derisa u mbyll me procedurë.

Po kështu për Gërdecin është vënë nën hetim ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, çështje e mbyllur me procedurë, pas rifitimit të mandatit të deputetit në zgjedhjet e 2009. Po kështu është dërguar në prokurori ish-zv.kryeministri në qeverinë e Berishës i akuzuar për korrupsion për shkak të një përgjimi të ish-ministrit Prifti, vetë kreu i LSI dhe i Kuvendit Ilir Meta, i cili u shpall i pafajshëm në gjykatë.

Ndërkohë që është pushuar çështja për abuzime me spotet televizive dhe afera të tjera ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Pra deri më tani, për herë të parë ka rënë në pranga një ministër. Urojmë të mos jetë i pari. Rruga u hap.
M.Nikaj

Kush është Spiro Ksera?
Spiro Ksera u emërua Ministër i Punës në shtator të vitit 2009. Ksera ishte pjesë e qeverisë "Berisha 2". Në atë kohë ai mori postin e ministrit për të përfaqësuar komunitetin grek në Shqipëri, pasi PBDNJ nuk pranoi të bënte koalicion me Berishën.

Para se të emërohej ministër, Spiro Ksera ka qenë Prefekt i Qarkut të Gjirokastrës. Gjatë 4 viteve të punës së tij Ksera nuk u dallua për arritje të mëdha, ndërkohë që disa zyrtarë të emëruar nga ai, janë akuzuar për shpërdorim detyre. Gjithashtu Spiro Ksera mbahet mend pasi disa herë ka dalë publikisht përkrah deputetëve të Agimit të Artë. Spiro Ksera ka lindur në fshatin Derviçan të krahinës së Dropullit. Ai ka mbaruar studimet e larta për inxhineri mekanike në Universitetin e Tiranës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois