Bashkëshortja e ish-presidentit të Koresë së Jugut është dënuar me 20 muaj burg për pranimin e ryshfeteve nga Kisha e Unifikimit.

Megjithatë, gjykata e shpalli të pafajshme 52-vjeçaren Kim Keon Hee për akuzat e manipulimit të çmimeve të aksioneve dhe marrjes së sondazheve falas të opinionit nga një ndërmjetës politik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat i fitoi bashkëshorti i saj, Yoon Suk Yeol.

Yoon është dënuar tashmë me pesë vjet burg për shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë në lidhje me përpjekjen e tij të dështuar për shpalljen e ligjit ushtarak në vitin 2024. Kjo shënon herën e parë në historinë e Koresë së Jugut që një çift ish-presidencial dënohet njëkohësisht.

Të mërkurën, gjyqtari Woo In-sung i Gjykatës Qendrore të Qarkut të Seulit vendosi se Kim kishte “shfrytëzuar pozicionin e saj si mjet për të marrë përfitime personale”.

“Sa më i lartë të jetë pozicioni i dikujt, aq më me vetëdije duhet të ruhet nga një sjellje e tillë. E pandehura dështoi t’i refuzonte kërkesat dhe ishte e përqendruar te kujdesi ndaj vetes,” tha gjyqtari.

Një ekip prokurorësh specialë i caktuar për çështjen deklaroi se Kim kishte marrë dhurata në vlerë 56,000 dollarë, përfshirë një gjerdan diamanti Graff dhe disa çanta Chanel, nga Kisha e Unifikimit midis prillit dhe korrikut 2022, në këmbim të favoreve të biznesit dhe politike.

Ekipi kërkoi një dënim me 15 vjet burg dhe një gjobë prej 2 miliardë uonësh për të tre akuzat e shqyrtuara të mërkurën, për njërën prej të cilave Kim u shpall fajtore, por gjyqtari tha se Kim nuk ishte ajo që i kërkoi ryshfetet dhe se ajo “nuk ka precedentë të rëndësishëm penalë”.

Megjithatë, asaj iu urdhërua të kthente 12.85 milionë uon dhe gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e gjerdanit me diamant.

Kim është akuzuar gjithashtu për përfshirje të dyshuar në një skemë për rekrutimin e ndjekësve të Kishës së Unifikimit në Partinë konservatore të Fuqisë së Popullit, pjesë e së cilës ishte bashkëshorti i saj, si dhe për pranimin e dhuratave në këmbim të emërimeve në poste qeveritare. Gjykata ende nuk i ka shqyrtuar këto çështje.

Ish-Zonja e Parë i kishte mohuar të gjitha akuzat, duke thënë se ato ishin “të padrejta”, megjithëse ajo pranoi se kishte marrë çanta Chanel, të cilat tha se më pas i kishte kthyer pa i përdorur.

Ajo kërkoi ndjesë publike kur u paraqit për t’u marrë në pyetje në gushtin e kaluar. “Jam vërtet e penduar që një njeri i parëndësishëm si unë u ka shkaktuar shqetësim njerëzve,” tha ajo.

Hetimet mbi marrëdhëniet e Kim me Kishën e Unifikimit çuan gjithashtu në arrestimin e udhëheqëses së kishës, Han Hak-ja.

Përveç akuzave penale, Kim ka qenë edhe objekt i polemikave të tjera. Vitin e kaluar, Universiteti i Grave Sookmyung anuloi diplomën në edukim artistik që ajo kishte marrë në vitin 1999, pasi një komision etike gjeti se ajo kishte kopjuar tezën e saj të diplomës së masterit.