Tre persona në Tiranë dhe në Lezhë janë proceduar dhe janë gjobitur pasi akuzohen për ndotje te mjedisit.

Policia e Tiranës thotë se "në vendin e quajtur “Varrezat”, në Bathore, kanë konstatuar shtetasin G. D., duke hedhur material (shtuf) që shkakton ndotje të ajrit". Nga ana e policisë bashkiake është gjobitur me 50 mijë lekë të reja, ndërsa ka nisur edhe hetimi për kompaninë ku 40-vjeçari punonte.

Ndërkohë policia e Lezhës në bashkëpunim me IKMT  kanë kapur në flagrancë duke nxjerrë materiale inerte shtetasin D.B., 56 vjeç, banues në Kurbin.

IKMT e ka gjobitur shtetasin me masë administrative 2 milion lekë (të reja).

Gjithashtu, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.A., 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se fabrika e përpunimit të peshkut, shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit në Shëngjin.

IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë (të reja) si dhe do të  ndërpresë lidhjen me  rrjetin e kanalizimeve.

Policia thotë se kontrollet do të vijojnë për penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumenjve apo që kryejnë krime mjedisore.