Hoffmann: Reforma në drejtësi duhet
të vendosë besimin te sistemi

Hoffmann: Reforma në drejtësi duhet<br />të vendosë besimin te sistemi
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann nënvizoi të shtunën rëndësinë e reformës në drejtësi, e cila sipas tij, “mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të arrijë të rivendosë vërtet besimin në sistemin e drejtësisë”.

Ambasada gjermane festoi të shtunën 25-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me “Carmina Burana” të Carl Orff, një pjesë klasike kjo e historisë së muzikës së shek. XX, e cila vjen në një performancë të rrallë baleti. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Hoffmann tha se 3 tetori 1990, dita e ribashkimit të Gjermanisë ishte një ditë e mirë edhe për Evropën, ishte një ditë e mirë për Shqipërinë. “Si sot përpara 25 vitesh, më 3 tetor 1990, pas pothuajse një gjysëm shekulli ndarjeje, Gjermania u ribashkua. Pas rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, 3 tetori ishte një ditë tjetër e mirë jo vetëm për Gjermaninë . Ajo ishte një ditë e mirë edhe për Evropën, ishte një ditë e mirë për Shqipërinë”, tha ai.

Rivendosja e Unitetit shtetëror të Gjermanisë, sipas ambasadorit Hoffmann, hapi portat për krijimin e unitetit të mbarë Evropës mbi bazën e demokracisë, lirisë, sigurisë, të drejtës, solidaritetit, tolerancës dhe prosperitetit ekonomik. “Çdo mendimtar apo analist në kategori të ndryshme historike e di, se Gjermania e bashkuar i ka obligim të veçantë këto vlera dhe objektiva. Gjermania është pionier i vendosur i procesit të Bashkimit Evropian dhe kjo jo vetëm për arsye të reminishencave historike, por prej bindjes që popujt dhe shtetet e Evropës mund të siguronin jetëgjatësinë e idesë së një bashkëjetese të mirë vetëm përmes një unioni gjithnjë e më të ngushtë mes vetes”, u shpreh ambasadori gjerman.

Por, vijoi ai, kohët e fundit na është dashur të mësojmë sërish me dhimbje, se bashkëjetesën e mirë e kërcënojnë në mënyrë të përsëritur rreziqe të ndryshme. “Gjermania e bashkuar angazhohet brenda të mundshmes së saj të veprojë në mënyrë solidare e të japë kontributin e vet në gjetjen e zgjidhjeve paqësore, edhe sepse përvoja jonë tregon se çtensionimi i situatave mund të sjellë rezultate pozitive. Dhe kush vepron kështu, duhet ta ketë gjithashtu të qartë se nuk mund të përmbushë të gjithë dëshirat e pritshmëritë”, tha ambasadori Hoffmann. Që një projekt i përbashkët të ketë sukses, sipas tij, duhet që të kontribuojnë të gjithë, dhe nëse është e nevojshme, të venë rregull brenda shtëpive të tyre. “E këtu, as ne vetë nuk bëjmë përjashtim. Si shembull do të sillja në vëmendje sfidën e jashtëzakonshme të krizës aktuale të refugjatëve dhe emigrantëve, që do të vazhdojë të na mbajë të zënë për një kohë të gjatë”, vijoi ambasadori gjerman.

Për ambasadorin Hoffmann, është më shumë se sa thjesht një koincidencë historike fakti që vetëm dy muaj pas ribashkimit të Gjermanisë, në dhjetor të vitit 1990, forca që kërkonin ndryshimin në Shqipëri patën kurajon e madhe të dilnin hapur.

“Kapërcimi i ndarjes së Evropës mundësoi jo vetëm rënien e diktaturës në Shqipëri, por e riktheu vendin në familjen evropiane. Bashkimi Evropian është një faktor me rëndësi domethënëse për stabilitetin në botë. Dhe për të siguruar jetëgjatësinë e tij, lipset një politikë e mençur zgjerimi.
Gjermania mbështet përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shumëçka është arritur, por shumë mbetet ende për të bërë”, tha ai.
Ambasadori Hoffmann solli si shembull reformën tejet të rëndësishme në drejtësi, e cila mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të arrijë të rivendosë vërtet besimin në sistemin e drejtësisë.

“Gjermania është e angazhuar gjerësisht në Shqipëri prej më shumë se çerek shekulli në kuadër projektesh të shumta. Me Konferencën e Ballkanit Perëndimor në vitin 2014 Qeveria Federale i dha shtysën Procesit të Berlinit, i cili mund të nxisë zhvillimin e tërë rajonit me projekte konkrete”, deklaroi  Hoffmann.
Për stadin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, sipas ambasadorit Hoffmann, dëshmon edhe fakti që vizita e suksesshme e Kancelares Federale Angela Merkel në korrikun që shkoi, shënon vizitën e parë bilaterale të një kancelari federal në Shqipëri. “Pritja e përzemërt që iu rezervua Kancelares Merkel ishte për të gjithë ne një kënaqësi mjaft madhe”, vlerësoi ai.

Ambasadori shprehu angazhimin për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, përmes projekteve të larmishme të bashkëpunimit kulturor. “Ndaj edhe këtë vit do të organizojmë Tetorin Gjerman, të cilin e kemi vendosur në moton 25 vjet ribashkim i Gjermanisë – 25 vjet transformim në Shqipëri”, tha ai.
“Për të festuar së bashku 25-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë duam që me Carmina Burana të Carl Orff t’ju ofrojmë një pjesë klasike të historisë së muzikës së shek. XX – dhe këtë, në një performancë të rrallë baleti!

“Ky projekt i madh, që kërkoi javë të tëra pune dhe studimi e në jetësimin e të cilit është kontributi i shumë e shumë pjesëmarrësve, tregon më së miri, se çfarë synojnë projektet tona kulturore: pikërisht, të sjellim bashkë artistë nga dy vendet tona dhe përtej tyre, në një proces njohjeje produktive. Falënderojmë përzemërisht Youri Vámos, me origjinë nga Hungaria, por që jeton në Gjermani, narrator koreografik me famë ndërkombëtare, si dhe Joyce Cuocofür për koreografinë e pjesës; një falënderim po kaq i përzemërt shkon për orkestrën dhe dirigjentin më origjinë nga Shqipëria, por që prej kohësh jeton në Gjermani, Desar Sulejmani, si dhe për korin nën drejtimin e Dritan Lumshi, e në mbyllje për Korin e Liceut Artistik Jordan Misja, nën drejtimin e Bujar dhe Mira Alliu si dhe për të gjithë pjesëmarrësit”, tha ambasadori Hoffmann.

“Ajo thirrje e famshme dhe madhështore përgjërimi e Fortuna Imperatrix Mundi, Perëndisë së Fatit dhe Lumturisë, si sundimtare e botës, na kujton se fortuna, pra fati, duhet të jetë me ne, nëse diçka kaq e madhe siç është bashkimi i një vendi apo një kontinenti është i suksesshëm – por vetëm të besosh tek fortuna, nuk mjafton. Do të ishte mirë të jemi të vetëdijshëm, se pa një pjesëmarrje aktive tonën mund të arrihet pak ose aspak”, tha ambasadori Hoffmann në mesazhin e tij drejtuar personaliteteve të pranishme./ ATSH


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool