HAGË, 13shkurt /ATSH-AFP/ - Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem konfirmoi sot se ishte pesimist për mundësinë e një marrëveshjeje me Greqinë gjatë takimit të parashikuar të hënën në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje financiare me Athinën.
"Jam shumë pesimist përsa i përket çështjes për një etape konkrete të hënën", theksoi ai për televizionin publik holandez, "NOS" duke iu referuar një takimi vendimtar të ministrave të Financave të zonën euro.
"Grekët kanë ambicie të mëdha, por mundësitë, duke marrë parasysh gjendjen e ekonomisë greke, janë të limituara", deklaroi Jeroen Dijsselbloem.
Programi i ndihmës për Greqinë përfundon më 28 shkurt dhe qeveria e re greke refuzon ta shtyjë.
E vendosur për t'u çliruar nga trojka e kreditorëve (BE, BQE dhe FMN) dhe masat që i ka vendosur që prej vitit 2010, qeveria greke kërkon të marrë një program të ri me kushte më pak të rrepta në planin social.
Evropianët kërkojnë që Greqia të pranojë një zgjatje të programit për t'u financuar për një kohë të shkurtër, para se të parashikojë një zgjidhje për reduktimin e borxhit, më shumë se 175 për qind e PBB-së.
"Ne do të japim para vetëm atëherë kur të jenë realizuar progrese dhe reforma të reja të jenë zbatuar", konfirmoi presidenti i Eurogroupe.
"Është qeveria greke që duhet të bëjë hapin e parë", shtoi ai duke kujtuar se qeveria greke ishte shumë e qartë për qëllimin e saj për të mos rinovuar programin ekzistues./
/ec/









