SLLOVENI - Franca do ta mbështesë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Këtë konfirmim ia ka bërë vetë Presidenti francez Hollande, Presidentit shqiptar Bujar Nishani, në Slloveni, në prag të takimit të kryetarëve të procesit të Brdo-s.

Burimet zyrtare nga Presidenca njoftuan se Nishani falenderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Shqipërisë në procesin e reformave dhe integrimin evropian dhe kërkoi vijimin e kësaj përqasjeje.

Ai garantoi se Shqipëria do të mbetet e angazhuar në përshpejtimin e reformave për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në realizimin e agjendës së saj evropiane dhe do të vazhdojë të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndjekur me vendosmëri politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitur bashkëpunimin rajonal. Kreu i Shtetit ftoi gjithashtu bizneset franceze që të jenë më të pranishme në Shqipëri.

Nga ana e tij, Presidenti francez shprehu mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi zgjedhjet e fundit si një dëshmi më shumë të përparimit të demokracisë. "Franca", - tha ai," - "do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)