Homazh kujtimit të Stela dhe Ernesto Ardit

Homazh kujtimit të Stela dhe Ernesto Ardit

Qyteti i Shkodrës

Në mbrëmjen e 21 Shkurtit të vitit 1951 dera e dhomës, ku na sollën të banojmë mëngjesin e asaj dite, trokiti lehtë. Pas pak brenda hyri nje grua e mbuluar me çarçaf.  Si zuri vend në minderin e shtëpisë dhe largoi mbulesën nga koka na dhuroi një buzëqeshje ne tre fëmijëve që kishim rrethuar nënën tonë.

Buzëqeshja ia la vendin dhimbjes kur iu drejtua asaj: -Jam Stela Arditi, e shoqja e farmacistit të lagjes. Zysh Angjia e klasës parë, ku është Eleni, vajza ime dhe djali juaj, dhe drejtoi shikimin tek unë, më tregoi për fatkeqësinë tuaj.

Erdha t'iu sjell triskat e bukës të familjes tonë dhe ca lekë. Mos m'i kthe, të lutem! Ju duhen.

Ke tre fëmijë për t'ushqyer ... Sa vrapi u ngrit, mbërtheu çarçafin dhe u zhduk n'errësirën e natës.

Nënën tonë, Menduhijen, e mbytën dënesat. Për pak çaste u lëshua në krahët e dëshpërimit. Papritmas atë ditë u gdhi krejt e vetmuar në qytetin që e donte aq shumë, në Shkodrën mikpritëse për çdo jabanxhi ... Pa punë, me tre djemt e saj të vegjel nga 2 deri 9 vjeç.

Të shoqin, Musain, duke u gdhirë ajo dite e zezë, erdhën dhe e arrestuan. Nuk lanë qoshe të shtëpisë pa kontrolluar. Morën disa libra, letra e dokumenta. Kryetari i Frontit Demokratik të lagjes, që shoqëronte policët, pati kujdes të merrte triskat e bukës me që familja jone tashmë konsiderohej armike dhe perjashtohej nga e drejta e pasjes se tyre.

Pak orë më vonë, si gdhiu dita, para derës së shtëpisë se Nok Kirit, ku banonim me qera, erdhi një kamion mbi të cilin policët ngarkuan plackat e mbledhura me ngut. Na dërguan në një dhomë të shtëpisë së shtetëzuar të Hamit Smajlit, në atë kohë i burgosur si tregtar per floririn e fshehur, afër Trumës së Dugajve të Reja. Fare pranë rrugës së Serreqve ku ishte farmacia e Arditëve. Kishte qenë një ditë e gjatë, plot të papritura për ne fëmijët, që gjithsesi nuk i kuptonim përmasat e fatkeqsisë që i ra familjes tonë. Megjithatë në fund të saj pamë një rreze drite, që u shfaq në pamjen e hijshme të gruas së re, zonjës Stela Ardit. Atë natë gjumi me zuri duke iu gëzuar buzëqeshjes në fytyrën e nënës së shoqes time të bangës në shkollën 7-vjecare “Jordan Misja”.

Për gati 8 muaj babai përballoi kalvarin e një hetuesie të vështirë në degën e punëve te brëndëshme të Shkodrës që në atë kohë drejtohej nga gjeneral-major Hilmi Seiti. Akuzohej si spiun i Fultz-it që në bangat e shkollës teknike, ku ishte diplomuar ne vitin 1932. Për “veprimtari armiqësore dhe sabotim” në Centralin Elektrik të shoqerisë italiane SESA të Kavajës deri në vitin 1945. Dhe në vazhdim me të njëjtën akuzë si drejtor teknik i Centralit Elektrik të Shkodrës që nga viti 1945. Ishte mbështetja pa rezerva, opinionet dhe vlerësimet pozitive për punën dhe qëndrimin e ndershëm, që i dhanë kuadrot dhe njerëzit e thjeshtë, të njohur e të panjohur, të Kavajes e Shkodrës që bënë të mundur lirimin e tij pa dalë në gjyqë në mes të Tetorit të atij viti.

 Një vit më vonë (1952) familja jonë u shpërngul në Durrës. Por Stela dhe Ernesto Arditin dhe bamirësinë e tyre prindërit tonë kurrë nuk i harruan. Ato ishin gjithashtu një gur i çmuar në kujtimet e mija të fëmijërisë. Në Shtatorin e vitit 1961 me vajzën e vogël të Arditëve, Elenin, shoqen time te klasës, u takuam si dy miq te vjetër në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Të dy, ato ditë, filluam studimet e larta, ajo ne degën e Biologji-Kimisë dhe unë në atë të Matematikës. Shpejt ajo u fejua dhe martua me Jorgji Konën, djalin e pashëm tiranas, volejbollistin e shquar te Partizanit dhe Kombëtares tonë të * * * 45 vite më vonë, në Tetor te vitit 2005, në Toronto ku banoj me familjen time te re, komuniteti hebre i qytetit mbajti një Konferencë Përkujtimorë në nderim të Veprës së popullit shqiptar gjatë Luftës dytë Botërore. Merrnim pjesë një grup emigrantësh shqiptarë të ftuar nga Ambasada jonë.

Ishte i pranishen edhe konsulli i saj, Z. Fotaq Nano. Nga organizatorët, veç pjesëmarrjes së gjerë, u mbajtën disa kumtesa që analizonin aspekte dhe përvoja të qëndrimit të autoriteteve shtetërore dhe familjeve shqiptare, gjatë asaj periudhe, për të fshehur dhe siguruar mbijetesën e qindra hebrenjëve të ardhur nga shumë vënde të Europës në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët dhe nazistët.

 Kumtesat ishin përgatitur dhe mbaheshin nga disa prej figurave intelektuale më të shquara të komunitetit të tyre. Akademikë, doktorë e profesorë në fusha të ndryshme të shkencave.

Ne shqiptaret e ftuar, të gjithë sa ishim, e ndjenim nga afër respektin e thellë dhe dashurinë e sinqertë të mikpritësve. Në fund për të pranishmit u shfaq një dokumentar.

 E kishte realizuar me shpenzimet e tij një i mbijetuar që kishte humbur të gjithë familjen në kampet e perqëndrimit.

Ishte aventura mbinjerëzore e një djali, në atë kohë 7 vjeçar, që prindët e fshehën nën shtretër në qendrën e grumbullimit te hebrejve në Shkup, ku Gestapo i kish mbledhur pak para shpërnguljes për në kampet e vdekjes. Tashmë, gati 70 vjeçar, me ndihmën e një operatori profesionist, i mbijetuari kishte regjistruar te gjithe itinerarin që kishin përshkuar në Maj të vitit 1944, bashkë me dy kusherinj të rritur te fshehur ne qytet gjate bastisjeve te atyre diteve, nga Shkupi deri ne Shkodër, destinacionin final te rrugëtimit. Dhe ku? Bash në farmacinë e atëhershme të Ernesto Arditit, ku qëndruan të fshehur per dy-tre javë. Deri sa bashkëshortët Arditi i transferuan me besë në një familje të fshatit Shtoj ku qëndruan deri në fund te Luftës. Dhe ku tani, mbas 60 vitesh, 7 vjeçarin e asaj kohe e pritën si djalin e shtëpisë!

Një komshi i moshuar shkodran i familjes Arditi, që u intervistua, tregoi para kamerës se gjatë viteve te luftës Ernesto e Stela Arditi kishin pritur në farmaci/shtëpinë e tyre si dhe sistemuar në fshatrat e Shkodrës dhjetra grupe e familje hebrejsh të zbritur nga shumë vënde te kontinentit plak. Sa tregova dokumentoheshin në sekuencat e filmit që po ndiqej me interes të jashtëzakonshëm nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës.

* * *

Nuk mund t'a mbyll këtë reflektim për një nga momentet më të vështira të egzistencës së familjes tone pa shprehur publikisht respektin dhe mirënjohjen e thellë të vëllazërisë tone, Saliut (te ndjerit), Mirushit dhe Gëzimit, për Veprën e Stela dhe Ernesto Ardit që rrezikuan jetët e tyre për të qëndruar në anën e drejtë të moralit njerëzor gjatë dy periudhave më të errëta të historisë botërore, ato të regjimeve totalitare të fazhizëm-nazizmit dhe komunizmit.

Kujtim Kabashi

 Toronto,

Kanada

[email protected]

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?