Marina e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit paralajmëroi lidhur me kalimin nëpër rrugë detare që nuk janë autorizuar nga Irani në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “do të merren masa” ndaj anijeve që nuk respektojnë këtë kusht.
“Kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit është i mundur vetëm përmes rrugëve të përcaktuara nga Irani dhe do të merren masa ndaj anijeve që nuk përputhen me këtë rregull”, thuhet në një deklaratë të marinës së Pasdaranëve, sipas agjencisë ISNA.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale në lidhje me një tarifë kalimi në Ngushticën e Hormuzit që dotë vilej nga Irani, duke thënë se nuk do ta pranojë atë.
“Do të ishte e papranueshme. Ekzistojnë edhe ngushtica të tjera ndërkombëtare dhe nuk do ta lejonim as atje. Kjo do t’i ndryshonte plotësisht rregullat e lojës. Irani ka njoftuar se do të heqë dorë për 60 ditë nga tarifat për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa vazhdojnë bisedimet.
Në krah të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti i SHBA-ve shprehu sërish pakënaqësitë ndaj Aleancës dhe mbështetjes së saj, sidomos gjatë luftës me Iranin.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Mark Rutte përdori tabela prej kartoni për të treguar se sa shumë vendet e NATO-s kanë rritur shpenzimet e tyre për mbrojtjen që kur Trump mori për herë të parë detyrën në vitin 2017.
Ai tha gjithashtu se mijëra avionë ushtarakë amerikanë kishin operuar nga bazat në Evropë gjatë luftës, duke e paraqitur këtë bashkëpunim si dëshmi të mbështetjes së aleatëve.
Megjithatë, Trump u duk kryesisht i pa bindur, edhe pse vlerësoi përpjekjet e Rutte-s.
Një nga rolet kryesore të Rutte-s që prej fitores së dytë zgjedhore të Trump në nëntor 2024 ka qenë menaxhimi i qëndrimit armiqësor të presidentit ndaj aleancës dhe parandalimi që momentet e tensionuara, përfshirë përpjekjen e Trump për të marrë Groenlandën, të mos përshkallëzohen në kriza afatgjata.
Komente









