Revista Cosmopolitan ka publikuar parashikimin astrologjik për muajin gusht 2026, të përgatitur nga Stephanie N. Campos, astrologe dhe autore e specializuar në astrologji, letrat tarot dhe praktika mistike, e njohur edhe për podcast-in Daily Horoscope for Your Zodiac Sign.
Sipas saj, për të lindurit në shenjën e Gaforres, gushti do të jetë një muaj i përqendruar te financat, karriera dhe vetëbesimi. Mund të shfaqen mundësi për të rritur të ardhurat, për të ndryshuar drejtim në punë ose për të nisur një kapitull të ri profesional, ndërsa pjesa e dytë e muajit favorizon komunikimin, njohjet dhe mësimin e gjërave të reja.
Në fillim të muajit, vëmendja do të jetë te paratë dhe siguria financiare. Sipas Campos, është koha të rishikoni buxhetin, të diskutoni për burimet e përbashkëta financiare ose të kërkoni atë që mendoni se meritoni në punë. Disa mund të kuptojnë se një rrugë e re profesionale u përshtatet më shumë se ajo që ndjekin aktualisht.
Më 6 gusht, me hyrjen e Venusit në Peshore, do të ndieni nevojën të kaloni më shumë kohë në shtëpi dhe të krijoni një ambient më të ngrohtë e më të rehatshëm. Kjo periudhë mund të sjellë edhe lajme të mira që lidhen me banesën ose pajtim me një person me të cilin keni pasur mosmarrëveshje.
Nga 11 gushti, Marsi hyn në shenjën tuaj dhe ju jep më shumë energji, guxim dhe vetëbesim. Do të jeni më të vendosur të mbroni bindjet tuaja, njerëzit që doni dhe të ndërmerrni hapa që më parë i keni shtyrë nga frika e së panjohurës.
Një pikë kthese vjen më 12 gusht me Eklipsin Diellor në Luan. Sipas astrologes, kjo periudhë mund të sjellë një ofertë pune, ngritje në detyrë, një burim të ri të ardhurash ose një ndryshim të rëndësishëm në karrierë. Është gjithashtu momenti për t'i qëndruar besnik vlerave tuaja.
Më 17 gusht mund të mbërrijnë lajme pozitive në aspektin financiar ose një bisedë që ju rrit vetëbesimin. Për disa, kjo mund të shoqërohet edhe me një dhuratë apo një mbështetje të papritur.
Nga 22 gushti, me hyrjen e Diellit në Virgjëreshë, nis një periudhë e favorshme për komunikimin, udhëtimet e shkurtra, njohjet dhe mësimin. Më 25 gusht, Mërkuri në të njëjtën shenjë sjell ide të reja, biseda interesante, mundësi për të nënshkruar marrëveshje ose për të nisur një kurs të ri.
Eklipsi Hënor në Peshq, më 27 gusht, ju fton të vini në praktikë gjithçka që keni mësuar. Nëse po zhvilloni një aftësi të re ose po mësoni diçka të re, kjo periudhë mund të sjellë vlerësim për përparimin tuaj. Ndërkohë, fundi i muajit mund të nxjerrë në pah disa çështje të pazgjidhura në familje ose në jetën në shtëpi, të cilat do të kërkojnë më shumë vëmendje në javët që vijnë.
Komente



