Hovenier dhe Szunyog i kërkojnë Kosovës t’i zbatojë marrëveshjet e dialogut, nëse do anëtarësim në BE e NATO

Hovenier dhe Szunyog i kërkojnë Kosovës t’i zbatojë marrëveshjet e dialogut, nëse do anëtarësim në BE e NATO

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i kanë bërë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

Duke folur në një konferencë në Prishtinë me titullin: “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Hovenier tha se Kosova mund ecë përpara në rrugën evropiane vetëm përmes dialogut.

“Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja... Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Bashkësia ndërkombëtare i kërkon me ngulm Kosovës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Hovenier këmbënguli, megjithatë, se asgjë nuk e pengon zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët do ta trajtonin Kosovën më ndryshe se tani, nëse ata do të ishin duke e zbatuar këto obligime, nëse do të ishin duke e miratuar draft-statutin për Asociacionin që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe nëse do të ishin duke ecur drejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, theksoi Hovenier.

Të njëjtin mendim me ambasadorin amerikan e ndau edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili edhe mori një shembull për këtë.

“Më kujtohet 1997 kur Richard Hollbruk thoshte në Pragë, nëse doni të jeni në NATO, atëherë zgjidhni raportet bilaterale me Gjermaninë, u nënshkrua marrëveshja mes Çekisë dhe Gjermani 1998, Vaslav Havel ia arriti dhe u bënë anëtare në vitin 1999”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, e ka fajësuar palën serbe për ngecjen e dialogut.

“Dialogu nënkupton dy [palë], nuk është monolog, po të donim të marrim vendime lidhur me qytetarët tanë në Kosovë, atëherë duhet të jemi në gjendje të marrim përgjegjësi, por partnerët tanë dhe miqtë nuk rreshtin së ndaluari duke na shpjeguar se duhet të angazhohemi dhe në dialog duhet të kesh dy palë”, tha Gërvalla.

Sipas Gërvallës është “e pamundur” të mbash bisedime me një shtet që përgatitet për luftë.

“Kur ke një palë që është kundër dialogut dhe tregon veprime konkrete si ngjarja e 24 shtatorit kur kishim akt sulmi kundër Republikës së Kosovës dhe ne pretendojmë se kemi dialog në Bruksel, atëherë çdo nxënës do ta kuptojë se kjo nuk është ajo që mësohet në shkollë për këtë proces”, tha ajo.

Ajo po i referohej një sulmi nga një grup serbësh të armatosur kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Buxheti në Parlament, mazhoranca rrëzon 4 amendamentet e radhës të PD, voton vendimet e marra nga Komisionet

Buxheti në Parlament, mazhoranca rrëzon 4 amendamentet e radhës të PD, voton vendimet e marra nga Komisionet