Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Ai i ka bërë këto deklarata, pasi të premten pritet që, kryetarët e rinj të komunave veriore të Kosovës, të bëjnë betimin dhe të nisin punën.
Kryetarët e rinj, të gjithë nga partitë shqiptare, janë zgjedhur në zgjedhjet e mbajtura në prill, në komunat veriore – të banuara me shumicë serbe – pas dorëheqjeve të kryetarëve paraprakë, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Këtë proces zgjedhor e kanë bojkotuar një pjesë e mirë e qytetarëve.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Thirrjet për bojkot i ka bërë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kur Hovenier është pyetur se si mund të rrjedhë procesi të premten, ai ka thënë se
“Shtetet e Bashkuara besojnë se është me rëndësi që kjo gjë të bëhet në një mënyrë që shmang konfliktin dhe rritjen e tensioneve në veri”.
“Ne presim nga kryetarët e zgjedhur që të ushtrojnë rol teknik, në vend të atij politik, dhe të ndërmarrin veprime që nuk shihen si përshkallëzuese. Shembull, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të fituar qasje në ndërtesa, të cilat mund të mos jenë të qasshme tani”.
Kryetarët e sapozgjedhur duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka thënë se do të ofrojë mbështetjen e ekzekutivit për kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë të enjten se Serbia, nuk do t’i njohë kurrë kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës./ REL