Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vizitoi pasditen e sotme Luksemburgun, ku u prit nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Xavier Bettel.
Hoxha dhe Bettel u ndalën në angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushat ekzistuese kyçe, me një fokus të shtuar tek inovacioni, teknologjia dhe turizmi.
Ministri Hoxha theksoi në një postim në X se Luksemburgu ka treguar një mbështetje të vazhdueshme dhe të vendosur për procesin e anëtarësimit në BE, ndërkohë që Ministri Bettel mbetet i angazhuar në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
"Diskutuam gjithashtu hapat e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së momentit të zgjerimit përmes një procesi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt të ardhmes sonë të përbashkët evropiane", shtoi Hoxha.
Postimi i plotë i Ministrit:
Shumë kënaqësi që u prita për një shkëmbim shumë të ngrohtë dhe konstruktiv nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel
Rikonfirmuam gjendjen e shkëlqyer të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushat ekzistuese kyçe, dhe dëshirën për të exploruar me një fokus të shtuar në fusha si inovacioni, teknologjia dhe turizmi.
Shpreha mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vendosur të Luksemburgut për procesin tonë të anëtarësimit në BE, si dhe për angazhimin e tij në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Diskutuam gjithashtu hapat e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së momentit të zgjerimit përmes një procesi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.
Pres me kënaqësi të vazhdojmë dhe të thellojmë më tej këtë partneritet të ngushtë të mbrujtur me vlerat e përbashkëta evropiane, veçanërisht me rastin e një vizite të ardhshme të Ministrit Bettel në Shqipëri.
Komente










