Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në Ministerialin mbi rikthimin e terrorizmit politik, të thirrur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Ministerialin ku merrnin pjesë përfaqësues nga më shumë se 60 vende, Hoxha theksoi se "ekstremizmi politik dhe përdorimi i dhunës për të arritur objektivat politike përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë demokracisë".

"Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: në një demokraci, nuk ka as vend dhe as justifikim për dhunën si mjet politik. Historia jonë na kujton këtë lloj rreziku. Dikur një diktaturë brutale komuniste, që jetonte në një botë pa dritë dhe pa shpresë, sot si një demokraci e vendosur, një aleate e përkushtuar e NATO-s, një vend kandidat për t'u bashkuar së shpejti me Bashkimin Evropian dhe një partner i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, ne në Shqipëri e dimë çmimin e lirisë dhe rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike të fituara me mund", deklaroi Hoxha.

Sipas Ministrit, ne duhet të forcojmë qëndresën demokratike, të luftojmë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, të përballemi me kërcënimet e sponsorizuara nga shtetet, duke përfshirë sulmet kibernetike keqdashëse. Hoxha u ndal në sulmet e vazhdueshme kibernetike të Iranit ndaj vendit tonë.

"Duke u përballur me sulme të vazhdueshme kibernetike dhe hibride nga Irani, Shqipëria ka zhvilluar qendruëshmëri dhe aftësi të konsiderueshme, një fushë ku vigjilenca dhe investimi i vazhdueshëm janë thelbësore", tha ai.

Për Ministrin e Jashtëm, bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm.

"Në botën e sotme të ndërlidhur, asnjë vend nuk është imun. Demokracitë flasin të njëjtën gjuhë. Prandaj, ato duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, të ndajnë informacion, të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të mobilizojnë të gjitha mjetet e disponueshme për të adresuar sfidat e përbashkëta që kërcënojnë sigurinë tonë, institucionet tona dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës", përfundoi Hoxha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:26
Hoxha takim me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, ripërsërit qëndrimin e Shqipërisë ndaj deklaratave të skandaloze të ministres serbe për Kosovën: Minojnë stabilitetin!

1784280111_ferithoxha.png

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për ​​Rikthimin e Terrorizmit Politik me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Të dy ministrat shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit në rajon.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha njoftoi se gjatë takimit ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën, e cila tha se ‘do e kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, nëse do të kisha mundësi’.

Hoxha theksoi se gjatë takimit theksoi nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin e bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane.

"Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane", thekson Ministri i Jashtëm.

"Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi", shkruan më tej Hoxha.