ATHINE - “Emigrantët në Athinë janë trajtuar në mënyrë të pahijshme nga policia gjatë kontrolleve të autorizuara për të frenuar imigracionin e paligjshëm”,-thotë organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch në raportin e saj të fundit. Që nga korriku i 2012-s deri në muajin shkurt 2013 policia në kuadër rë operacionit të koduar 'Xenios Zeus' kundër emigracionit të paligjshëm ka ndaluar rreth 85 mijë të huaj.

Emigrantët e ndaluar janë çuar në stacione policore për kontrolle të dokumenteve, por vetëm gjashtë për qind e tyre ishin të paligjshëm. Raporti gjithashtu dokumenton abuzim fizik dhe verbal. Shumica e njerëzve të intervistuar u ankuan në lidhje me sjelljen e vrazhdë, dhe fyerjet raciste nga punonjësit e policisë. 

Përfaqësuesja e Human Right Watch Eva Coss tha se “policia ka të ketë të drejtën për të kontrolluar imigracionin e paligjshëm, por ne kemi arritur në konkluzion se operacioni Xenios Zeus në Athinë lë shumë hapësirë për shkelje të të drejtave të njeriut në drejtim të diskriminimit”. Aktet raciste janë rritur ndjeshëm në vendin helen që nga viti i kaluar kur një parti anti-emigracionit hyri në parlament.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)