TIRANE - “Jam i shokuar nga fakti që një zyrtar i lartë i qeverisë bën thirrje të dhunohen manifestues paqësorë të komunitetit LGBT”. Është ky reagimi i Boris Dittrich, drejtor për çështjet e komunitetit LGBT në organizatën ndërkombëtare që kujdeset për të drejtat e njeriut, Human Right Watch, në lidhje me deklaratat dhunëshme të zv/ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahia.

Boris Dittrich është parlamentari hollandez i cili ka inicuar për herë të parë legjislacionin për martesat mes së njëjtës gjini në Hollandë, ligj që më vonë u adoptua nga 6 vende të Bashkimit Europian.

Deklarata e tij u përfshi sot në një njoftim për shtypin ndërkombëtar nga Human Rights Watch me qendër në Nju Jork, ku përshkruhej situata e LGBT në Shqipëri e ku i kërkohet qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë ndaj deklaratave të tilla, si ajo e Spahisë, që vijnë nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

“Qeveria shqiptare duhet të zbatojnë legjislacionin kundër diskriminimit dhe nuk duhet të tolerojnë qëndrime homofobike”, i bëri thirrje sot Human Rights Ëatch qeverisë shqiptare.

Shoqatat pro LGBT paditën sot zyrtarisht zv/ministrin Spahia për deklaratat e dhunshme ndaj këtij komuniteti të lëshuara pak ditë më parë në një interviste. Kjo padi do të jetë një test i rëndësishëm “për të kuptuar se sa vlerë ka në botën e gjyqësorit neni 266 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thanë këto shoqata.

(im/shqiptarja.com)