Futbolli shqiptar dhe qyteti i Librazhdit kanë humbur një nga figurat e tyre më të respektuara. Besnik Çota, ish-kapiteni dhe ish-trajneri i KF Sopotit, u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës në moshën 56-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Çota ndërroi jetë në një spital në Tiranë, ku po merrte trajtim mjekësor. Prej vitesh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i ishte nënshtruar trajtimit me dializë.
Lajmi i hidhur ka tronditur familjarët, miqtë, ish-bashkëlojtarët, tifozët dhe gjithë komunitetin sportiv të Librazhdit. Përtej kontributit të tij në futboll, Besnik Çota do të kujtohet si një njeri me integritet, i respektuar dhe i vlerësuar nga të gjithë ata që e njohën.
I konsideruar si një nga futbollistët më të mirë në historinë e KF Sopotit, Çota spikati në vitet '90 si mesfushor organizator, duke u dalluar për teknikën, vizionin e lojës dhe aftësinë për të udhëhequr skuadrën në momentet më të rëndësishme. Me shiritin e kapitenit në krah, ai u bë një prej simboleve të klubit dhe la gjurmë të pashlyeshme në futbollin librazhdas kur ky ekip militoi edhe në elitën e vendit.
Edhe pas mbylljes së karrierës si futbollist, ai nuk u shkëput nga sporti. Si trajner, iu përkushtua zhvillimit të brezave të rinj, duke drejtuar ekipet zinxhir të Sopotit dhe më pas edhe skuadrën e parë, ku vazhdoi të japë kontribut të çmuar për klubin dhe futbollin e qytetit.
Klubi buzë lumit Shkumbin ka bërë një reagim të ndjerë duke i dhënë lamtumirën ish-trajnerit dhe ish-futbollistit që për 12 vite mbajti në krah shiritin e kapitenit të ekipit. "Sopoti dhe qyteti i Librazhdit do të jenë borxhli gjithmonë për atë që i dhe futbollit", shkruan mes të tjerash klubi.
Mesazhi i KF Sopotit:
Lamtumirë Bes Çota!
Një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave për Sopotin, trajner i shumë brezave që u rrritën me atë fanellë, njeriu që i dha aq shumë Klubit të Futbollit Sopoti u shua sot pas një beteje të gjatë shëndetësore.
Për Besën Sopoti ishte familja e tij.
Sopoti dhe qyteti i Librazhdit do të jenë borxhli gjithmonë për atë që i dhe futbollit.
Ngushëllime djemve të tij Noelit, Leos dhe gjithë familjarve!
“Come te, nessuno mai”
Askush nuk do të jetë si ti, kurrë!
Do të mbetesh përgjithmonë në zemrat tona.











Komente
Komento