Qytetarët tropojanë kanë kërkuar protesta në rrjetet sociale për ngjarjen ku humbi jetën 17 vjeçari me origjinë nga Tropoja.

Ata kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj kësaj padrejtësie, duke ju kërkuar të gjithëve t’ju bashkohen në protestë.

Ardit Gjoklaj, 17 vjeç me origjinë nga Tropoja u gjet i masakruar 6 ditë më parë në lnadfillin e Sharrës.

Ai ishte me origjinë nga Tropoja edhe pse prej vitesh jetonte në Tiranë. Ai punonte në landfill si punonjës sezonal.

Qytetarët e Tropojës janë prekur nga kjo ngjarje ku nuk kanë munguar edhe komentet për 17-vjeçarin.

Njëri ndër ta, bashkëkrahinas i prindërve të Arditit, citon:
“Ardit, ti sot je gjallë dhe ne të gjithë kemi vdekur. Ku jeni o njerëz pa ndjenja, ku janë nikajmerturasit, ku janë tropojanët, ku janë shqiptarët e ndershëm? Pse heshtim, pse kemi vdekur edhe pse jo në të njëjtën mënyrë si Arditi. Pse nuk ngrihemi të gjithë së bashku në shenjë nderimi dhe respekti të bëjmë një tubim paqësor në zemër të kryeqytetit, e ta marrin vesh ata që na qeverisin se ka vdekur një njeri i pafajshëm dhe aq me keq vrasësit s’janë mjaftuar me marrjen e jetës, por kanë dashur dhe ta zhdukin trupin e tij. Arditi mund të ishte vëllai ose familjari i çdo njërit nga ne, pa dallim feje krahine apo ideje. Pse jemi kaq indiferent, pse nuk reagojmë, po kur vjen puna për parti e për 10 mijë lekë të vjetra, dalim e vritemi në bulevard. Zgjohuni pra, o njerëz, reagoni sa s’keni rënë në gjumin e përjetshëm, ashtu si ra Arditi i pafajshëm. Pushofsh në paqe Ardit"!

Duke gjurmuar në rrjetet sociale këto ditë dhimbjeje, na kanë përmalluar fjalët e shprehura nga administratori i faqes “Nikaj Merturi”,ku ndër të tjera veçojmë:

“Sot nikajmerturasit, miqtë dhe dashamirësit e tyre, me sy te përlotur, me dhimbje të madhe e zemra të copëtuara, përcollën për në banesën e fundit Arditin, Ardit Gjoklajn, bashkëkrahinasin tonë, djalin e Tetajve. Vetëm 17 vjet i mori kësaj jete. Dhe pse? Vetëm e vetëm sepse zgjodhi rrugën e ndershme të jetës, ashtu si babai, si gjyshi e i gjithë paraardhësit e tij, me djersën e ballit. Është shkatërruese të mendosh që po të kishte ndjekur rrugën e shitjes së ndonjë cigareje hashashi, të vjedhjes së xhepave, etj., etj., si bashkëmoshatarët e tij, e shumta do të ishte në burg, pra do të ishte me ne. Por fizikisht Arditi nuk është më midis nesh, nuk është më, sepse zgjodhi të jetojë ndershëm, në një vend të pandershëm, në një vend ku buka është e pasigurt, puna është e pasigurt, e mbi të gjitha jeta e pasigurt…” 


Në një nga fotot me shokët e klasës shkruan: “me vëllezërit e motrat e mia që i dua pa masë".


Ardit Gjoklaj

Ardit Gjoklaj

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com