TIRANË - Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për pezullimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator, ku u zgjodh anëtari i ri i Gjykatës Kushtetueses. Llagami pretendonte se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, dhe kështu do të kishte 9 votat që do t’i jepnin postin në Kushtetuese. Por Administrativja thotë se kërkesa është jashtë juridiksionit të saj dhe se për të sqaruar se kompetencë e kujt është shqyrtimi i padisë së saj, Llagami mund t’i drejtohet Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.

I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi u shpall automatikisht fitues dhe do të zërë vendin e Holta Zaçajt si anëtar. Por Llagami pretendoi se një votë u shpall e pavlefshme (në të cilën ishte shënuar dy herë) qëllimisht për të ndikuar në rezultat. Sipas saj, nëse vota do të ishte lexuar siç duhet, ajo do të kishte jo 8 por 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetueses.

Fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja e Posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe një tjetër shenjë përpara emrit të Llagamit, një rreth i cili kishte qarkuar numrin 2, që në renditje i përkiste asaj.

Gjykata e Lartë, në një reagim të saj, theksoi se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citoi nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”. Të dy këto nene, tha Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”.

Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.

Gjykata e Lartë paralajmëroi se marrja në shqyrtim e padisë së Llagamit do të ishte një tentative për ndërhyrje juridiksionale të pashembullt dhe potencialisht të rrezikshme për rendin kushtetues.