Zërave që i kërkojnë Partisë Demokratike të mos i shmanget betejave, por të vihet në ballë të saj, i bashkohen edhe drejtuesit lokalë.

Kryetari demokrat i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja i kërkon kupolës blu të frymëzojë protesta të qëndrueshme.

"Jam për protestë të qëndrueshme, protestë serioze. Jo me bo xhiro me ik", tha Qosja. 

Por para protestave kombëtare Sali Berisha ka plane të tjera. Ai është i vetëdijshëm që në gjendjen që PD është sot, gjasat që të frymëzojë protestat, janë të pakta.

Ndonëse vetë, i është shmangur përgjegjësisë, partisë në bazë, i kërkon të fuqizohet.

“Përveç protestës, kryengritjes paqësore, asnjë mjet tjetër nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë nga ky pushtim i egër i brendshëm. kjo nuk mund të na pengojë ne të rishqyrtojmë dhe nuk do na pengojë, të gjithë veprimtarinë, të gjithë problematikat që kemi dhe në mënyrë të veçantë, hapja dhe afrimi sa më shumë i vlerave të kësaj partie”, tha Berisha.

Këtë detyrë ia ngarkon pikërisht drejtuesve të strukturave lokale, duke i hequr deputetëve nga supet barrën e betejës përtej parlamentit.

“Do ta bëni ju me kryesinë, me grup seksionet, me seksionet. Do të dilni me propozimet, sugjerimet, atë çka mendoni, por treguesi më cilësor i suksesit të saj është, sa do jemi ne të aftë të afrojmë vlera të reja”, vijon Berisha.

Ish-kryeministri fajësoji Edi Ramën për izolimin e tij dhe prangosjen e Ilir Metës në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit me qëllim për të arritur fitoren.

“Ne vijmë në këtë takim pasi ju, anëtarë, por dhe mbështetësit e simpatizantët tanë, derdhët lumenj djerse, me ndershmëri e sakrifica, për një proces zgjedhor që vendi duhej të kishte. Me çfarë u përballën ata dhe ju? Ata u përballën, së pari, me një politikë terrori ndaj opozitës. Edi Rama, në traditën e babait të tij xhelat, në një vit elektoral, arrestoi si persona nën hetim, pa asnjë fakt penal, liderët e dy partive opozitare dhe vuri në ndjekje penale të tretin. Akt të tillë e ka bërë identik Saied–i Tunizisë, i cili në vit elektoral arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të fituar në zgjedhje për aq sa deshi”, tha Berisha.

I ashpër me PD një ditë më parë ishte edhe deputeti Ervin Salianji. Ai kritikon se PD ka zgjedhur rehatinë në vend të përballjes duke humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar dhe për të bërë betejë, ndaj i kërkon të ndryshojë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:21
'Deputetët të hyjnë në grevë urie, bashkë me familjarët e tyre' - Propozimi 'radikal' në mbledhjen e PD-së

1762889143_8000ca80c8b740ed26320e300aba1e09b127.jpg

Mësohen detaje nga debatet brenda mbledhjes së krerëve të degëve të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryetari Sali Berisha.

Mësohet se në mbledhje është propozuar grevë urie jo vetëm nga deputetët por edhe familjarët e tyre.

“Doktor, besimi ndaj politikës në përgjithësi është përtokë, por në veçanti ndaj PD. Çfarë duhet bërë që qytetarët të kenë besim tek PD? Janë provuar protestat por kanë rezultuar vetëm peligrinazh. Shumë demokratë kanë ikur drejt maxhorancës dhe nuk mund t'u vësh faj në këtë situatë. Mendoj se zgjidhje e mundshme për të rikthyer besimin tek PD është sakrifica jo vetëm e deputetëve, por edhe familjarëve të tyre. Të hyjnë në grevë te Kuvendi bashkë me familjet e tyre. Ndryshe si mund të rikthehet besimi kur të gjitha format janë provuar”, ka deklaruar një prej kryetarëve të degëve.

Sakaq, Berisha nuk i ka hedhur poshtë këto propozime, por është shprehur në favor të një proteste një herë në javë para Kuvendit.

“Keni të drejtë si në parashtrim, ashtu edhe në propozime, nuk i hedh poshtë asnjë nga këto, por jemi në një narko regjim. Duhet protestë në formatin e asaj para bashkisë, 1 herë në javë para Kuvendit. D.m.th në çdo seancë të ketë protestë para Kuvendit”, ka deklaruar Berisha.

Ora 15:58
Berisha: Gonzato u thotë deputetëve të PD se askush nuk e beson ‘narkoshtetin’ në Luksemburg! Ai dërgon informacione të pavërteta

1762775459_saliberisha.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar dhe rastin me ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, të cilin e atakoi nëpërmjet një deklarate për bindjet e tij seksuale.

Berisha thotë se deklarata e tij ishte për të kundërshtuar ligjin për Barazinë Gjinore, të cilin refuzon ta pranojë.

Ndër të tjera, ai thotë se Gonzato thotë me të madhe se askush as në Luksemburg nuk i beson ato që Berisha thotë lidhur me narkoshtetin.

“Ju e keni dëgjuar reagimin e ambasadorit të BE, reagimin e fundit. Unë duhet t’u them ju dhe shqiptarëve se kundërshtitë e mia me këtë zotëri, sigurisht që kishin lidhje me ligjin që nuk mund ta pranoj kurrë, një ligj të cilin nuk e kanë pranuar 21 vende anëtare të BE.

Një ligj, të cilin Gjykata Kushtetuese franceze e ka hedhur poshtë në vitin 2016. Një ligj, të cilin Gjykata Supreme e SHBA e hodhi poshtë para dy ditësh. Një ligj, për të cilin Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg, ka shkruar se çështja e gjinisë është një çështje e vendeve anëtare dhe nuk buron nga e drejta e Bashkimit.

Dhe e morën dhe e vunë me urgjencën më të madhe. Por unë pranoj, secili duhet të mbajë pikëpamjet që ka dhe të mbrojë atë që mendon. Por atë me të cilën nuk bie dakord kurrë me të, është sepse ky zotëri së pari u thotë deputetëve të PD, dhe jo vetëm, se ai narkoshteti për të cilin flet Berisha, nuk e beson njeri as këtu as në Luksemburg.

Sigurisht se ti çon ato informacione, të cilat janë absolutisht të pavërteta, se narkoshteti është realiteti më dramatik, më tragjik i shqiptarëve. Atëherë unë i drejtoj pyetjen: na thuaj pse ikën 1 milion e 99 mijë shqiptarë gjatë viteve në narkoshtetit? Na thuaj çfarë janë këto kulla, të cilat vetëm 20 përqind i kanë nga bankat?

Na thuaj çfarë përfaqëson Adelajda Roko, motra e vëllezërve Roko, drejtoreshë e planifikimit dhe urbanistikës së përgjithshme, zëvendëse e Edi Ramës në këto funksione? Na thuaj çfarë do të thotë ky kurs me 35 përqind, i rrëzuar përtokë? Unë, zotërisë së tij dhe cilido që mohon narkoshtetin, i them me dashje ose pa dashje e mbështet Edi Ramën në platformën e tij.

Duhet t’i themi gjërat hapur siç janë, që të dimë se në ç’kushte jemi. Javën që kaloi, vjen këtu një delegacion i nderuar i Parlamentit Europian, dhe po ky zotëri, u thotë se lideri i opozitës nuk është pro-perëndimor se pëlqen MAGA-n”, tha Berisha.