Humbja kundër Anglisë ishte edhe ndeshja e fundit e Joachim Low në krye të kombëtares gjermane, ndërsa tani ka ardhur edhe koha e bilanceve.
61-vjeçari erdhi në krye të ‘panzerave’ në vitin 2004 si asistent i Jurgen Klisman, por pas dështimit të këtij të fundit në Botërorin e 2006 vendin e zuri Low më 12 korrik, pozicion të cilin e mbajti për thuajse 15 vite të plota.
Low drejtoi përfaqësuesen gjermane në plot 198 ndeshje, nga të cilat fitoi 124, barazoi 40 dhe humbi 34 të tjera, me një përqindje suksesi prej 63% të takimeve të fituara në total.
Nën drejtimin e Low, Gjermania ia doli të fitojë Kupën e Botës në 2014-ën dhe Kupën e konfederatave në 2017-ën, teksa u rendit i dyti në Europianin e 2008-ës dhe i treti në Botërorin e 2010-ës. Me largimin e 61-vjeçarit, drejtimin e kombëtares gjermane, do e marrë Hansi Flik, i cili fitoi gjithçka me Bajernin.