Partizani luan nesër në transfertë me Vllazninë në orën 17:45. Sfida e javës së shtatë në Superligë është komentuar edhe nga trajneri i "Demave", Giovanni Colella. Italiani para mediave ka cekur problematikat në derbin e humbur me Tiranën, duke kritikuar edhe lojtarët për pozicionet në fushë. Colella gjithashtu shton se nuk kërkon një skuadër që ndërron fytyrë çdo pesë minuta, teksa ka konfirmuar mungesat e Telushit dhe Mattondo.
" Nëse bëjmë disa gjëra jemi një skuadër e mirë, nëse nuk i bëjmë, jemi një skuadër më pak e fortë. Nëse ne ia dalim të jemi një skuadër me agresive dhe kompakte sigurisht që jemi një skuadër e mirë, nëse nuk jemi agresivë mjaftueshëm, jo. Të gjitha skuadrat janë serioze, të ndash skuadrat në serioze apo jo, nuk është maksimumi. Të gjithë janë seriozë.
Agresivë? Unë shpresoj, se ndaj Tiranës ishim pak, ndaj e përsëris që mendoj se e imja është një skuadër e mirë nëse bën disa gjëra. Nëse jemi kompakt, agresivë dhe me sjelljen e duhur, sipas meje ia dalim të marrim tre pikët. Përndryshe fiton Vllaznia.
Duhet të luash kudo, nuk është vetëm çështje sulmuesish e mbrojtësish. Është një diskutim më i gjerë. Nëse bëhet gol, nuk është meritë vetëm e sulmuesve dhe kur nuk e pëson, nuk është meritë vetëm e mbrojtësve. Futbolli është një sport skuadre, se përndryshe do të ishte sport reparti.
Ekipi nga stërvitja duket gati, por në stërvitje nuk pashë skuadrën që pashë ndaj Tiranës, ndaj e kotë të flasim. Është e thjeshtë. Stërvitja ka rëndësi, por pastaj ka komponentë të tjerë. Ne do të mundohemi të jemi ata që kemi qenë ndaj Laçit e Erzenit edhe pse u mundëm, por jo ato ndaj Tiranës. Ndaj Tiranës ishim një skuadër e ndryshme. Unë mendoj se një skuadër duhet të ketë identitetin e saj. Nëse nuk është ajo, do të thotë që nuk kemi bërë atë që duhej të bënim. Është shumë e thjeshtë. Unë nuk i dua skuadrat që ndryshojnë lëkurën çdo 5 minuta, ndaj nëse ne bëjmë ato gjëra, jemi një skuadër e mirë dhe luajmë tre pikët ndaj të gjithëve. Nëse nuk jemi ata, sipas meje nuk humbim vetëm ndaj Tiranës, por edhe ndaj dikujt tjetër. E sigurt.
Mendoj se nuk ka kundërshtarë të duhur dhe të gabuar, ka kundërshtarë dhe çdo javë ka një të tillë. Nuk kemi probleme, i kemi rikuperuar pak a shumë të gjithë lojtarët. Ne punojmë çdo javë për të fituar çdo ndeshje, këtë ua siguroj. Pastaj ndodh në disa raste që nuk e fitojmë por e humbim, por ne punojmë vetëm për të fituar. Unë nuk njoh një klub apo trajner që punon për të humbur. Ndoshta do ta njoh më vonë, por tani nuk e njoh.
Pozicioni i Skukës në derbi? Skuka nuk ka luajtur djathtas, është ai që u zhvendos vetë djathtas. Askush nuk ia kërkoi. Janë dy gjëra të ndryshme. Pankina ime është gjithmonë në rrezik. Kam 33 vite në pankinë dhe në 33 vite nuk ka qenë një moment që nuk ka qenë në rrezik ndaj kjo gjë nuk bën as ngrohtë e as ftohtë.
Mungesa e Mattondo dhe Telushit? Do ia dalim disi, kam lojtarë të mirë në mesfushë, do të luajë ndokush tjetër. Të vjen keq kur humb dy lojtarë të të njëjtit rol por vijmë nga një periudhë ku çdo lloj gripi kapte sulmuesit, futbolli është i tillë, çdo lloj epidemie që është, kap vetëm një repart. Është normale.
Tre vite pa fituar ndaj Vllaznisë? Unë besoj pak te statistikat, nëse nuk fiton prej 3 vitesh shpresojmë të jetë hera e parë, shpresoj të jetë kështu.
Da Silva? E vështirë të marrësh informacione nga një lojtar i cili ishte aty dhe luante me një trajner të ndryshëm. Më duket pak e komplikuar si gjë. Pastaj nuk jam nga ata që i i kërkoj lojtarëve informacione nga skuadrat ku kanë qenë, me siguri jo", tha Colella.