Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitoi katër vajzët e mbetura jetime pas një aksidenti tragjik të ndodhur të dielën e kaluar, ku vajzat humbën prindërit. Ajo tha se përveç përkujdesjes do t'iu ofrojë vajzave edhe një shtëpi në Tiranë duke i premtuar mbështetje në çdo drejtim.

"Asgjë dhe askush nuk mund t’ua zëvendësojë prindërit 4 vajzave të mitura nga Dovolani i Peshkopisë, të mbetura jetime, pas aksidentit tragjik të dielën e kaluar. Por, dashuria dhe vëmendja e të gjithëve bashkë do të t’ua lehtësojnë dhimbjen e do t’ua largojnë vështirësitë e mëdha, me të cilat 4 vajzat dhe gjyshërit e tyre jetojnë. Si nënë e si grua, personalisht do të kujdesem që 4 motrave, të cilat shumë shpejt do të kenë shtëpinë e tyre në Tiranë, të mos u mungojë kujdesi i vazhdueshëm në çdo drejtim", shkruan Xhaçka.

Prindërit e katër vajzave të mbetura jetime, humbën jetën një javë më parë pasi motori me të cilin po udhëtonin u përplas me një automjet në aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi.

Burrë e grua, Gentjan e Klodiana Karazajmi 34-vjeç dhe 27-vjeçe humbën jetën si pasojë e aksidentit në aksin Dibër-Maqellarë. 

Çifti ishte duke udhëtuar me një motor në momentin kur u përplasën me një makinë tip 'Benz'. Një përplasje fatale që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.