Diçka po ndryshon në Hungari, të paktën duke parë sondazhet dhe sheshet e mbushura si rrallëherë në njëzet vitet e fundit. Megjithatë, kujdesi mbetet i domosdoshëm, bien dakord analistë dhe intelektualë: edhe pse ndryshimi duket i konfirmuar nga një sondazhist i konsideruar pothuajse i pagabueshëm, si Endre Hann i Median (i cili kishte parashikuar saktë edhe zgjedhjet katër vite më parë), pengesat për opozitën janë të shumta. Duke nisur nga mundësia e një procesi zgjedhor të kontestuar, me Viktor Orban që mund të përpiqet edhe ta anulojë atë.
Regjisori dhe shkrimtari András Vagvolgyi tund kokën: "Ky është votimi më i rëndësishëm që nga viti 1990", kur u mbajtën zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit. Dhe përpiqet të imagjinojë se në çfarë vendi do të zgjohet Hungaria javën e ardhshme.
"Katër skenarë të mundshëm: i pari, më pak i mundshmi, është që Orban të rikthejë super-shumicën. Në atë rast, Budapesti bëhet Minsk dhe Hungaria një Bjellorusi 2.0», thotë ai nga një kafene në Józsefváros, lagjja më “hipster” e kryeqytetit. «Në atë rast do të mendoja të largohesha nga vendi, dhe besoj se shumë hungarezë do të bënin të njëjtën gjë".
Me një fitore të pestë radhazi dhe me dy të tretat e parlamentit, kryeministri do ta forconte edhe më tej kursin e tij joliberal. «Mund të presim një intensifikim të veprimeve agresive kundër opozitës», parashikon politologu András Bíró-Nagy, drejtor i institutit Policy Solutions në Budapest.
Një perspektivë që shqetëson gazetarët e Telex, gazetës online më të lexuar në Hungari, e lindur në vitin 2020 mbi rrënojat e Index, që u mbyll pasi 70 gazetarët e saj dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër shkarkimit të drejtorit. Mes tyre edhe drejtori aktual, Tamás Német: «Nëse Fidesz fiton bindshëm, për punën tonë do të jetë fundi», thotë ai, duke iu referuar një projektligji për “transparencën” që synon të çojë drejt falimentimit pak mediat e pavarura që kanë mbetur. "Për momentin është pezulluar, por nëse Orbán fiton thellë, ai ka thënë se do ta çojë deri në fund".
Skenari i dytë parashikon një fitore të partisë së kryeministrit me shumicë të thjeshtë. Lideri i pathyeshëm do të përballej kështu me një opozitë të fortë në parlament. Për ta neutralizuar, mund të kërkojë aleancë me partinë tjetër të ekstremit të djathtë, Mi Hazánk, e cila mbështet “Huxit” – daljen e Hungarisë nga BE. Megjithatë, Orban nuk ka synuar kurrë largimin nga Bashkimi Evropian:
"Ai e sheh Brukselin si një bankomat. Bën biznes me të gjithë falë pranisë në BE, pa u rreshtuar plotësisht, duke luajtur rolin e rebelit kundër elitave», thotë sociologu Tibor Dessewffy nga Universiteti Loránd i Budapestit. «Sidoqoftë, nëse Orbán qëndron, Hungaria do të jetë de facto e izoluar nga BE-ja – nuk pres më shumë durim nga Brukseli".
Në skenarin e tretë, partia opozitare Tisza fiton shumicën e thjeshtë. Do të kishte një ndryshim qeverie, por jo të sistemit: institucionet e tjera (nga presidenti te Gjykata Kushtetuese) do të mbeteshin në duart e Fidesz. Péter Magyar do të qeveriste me duar të lidhura, pa mundur të çmontojë ndryshimet kushtetuese të vendosura nga Orbán për të konsoliduar pushtetin e tij. Për këtë nevojitet një shumicë prej dy të tretash në parlament.
"Edhe në këtë rast do të kishim një përplasje të fortë me Fidesz, por me disa shanse më shumë për ta fituar betejën», thotë Vagvolgyi. «Edhe nëse nuk do të ketë votat për reformat e shtetit ligjor që kërkon Brukseli për të zhbllokuar fondet e BE-së, besoj se të paktën një pjesë e parë mund të lirohet".
Skenari i katërt: në rast se Tisza fiton me super-shumicë, qeveria e re mund të përmbysë të gjithë sistemin. "Magyar mund t’i drejtohet Prokurorisë Evropiane për të hetuar dhe ndjekur penalisht tre mijë njerëzit e “klanit Orban”", një rrjet familjarësh, miqsh dhe aleatësh që, sipas hetimeve gazetareske dhe raporteve evropiane, kanë grumbulluar pasuri të mëdha përmes tenderëve dhe fondeve të BE-së që nga rikthimi i Orbán në pushtet në vitin 2010./CorrieredellaSera
Komente










