TIRANE- Drejtuesit e celulës xhihadiste në Tiranë kanë qarkulluar sasi të vogla në lek dhe euro, gjatë kohës që kryenin rekrutimin e besimtarëve shqiptarë dhe dërgimin e tyre në luftimet në Siri. Kanë qenë vetë bankat e nivelit të dytë, ato që i kanë konfirmuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda se Genci Balla dhe Bujar Hysa kanë pasur dhjetëra transaksione nga Turqia, por këto transaksione janë nga individë dhe jo nga organizata apo shoqata të ndryshme.

Ajo që bie në sy, sipas organit të akuzës, është fakti se llogaria e Genc Ballës dhe Bujar Hysës, kanë lëvizur me shuma të mëdha vetëm gjatë vitit 2010. Këto para që varionin nga 1 deri 5 mijë euro, mësohet se vinin në formë ndihme nga individë të ndryshëm nga shteti turk. Për këto transaksione janë marë në pyetje dy të pandehurit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët janë shprehur se të gjitha paratë janë përdorur për ndërtimin e dy xhamive, atë të Unazës së Re dhe atë në fshatin Mëzes.

Mirëpo pavarësisht këtyre alibive, ata apo avokatët e tyre nuk kanë dërguar në prokurori ndonjë dokument konkret se në çfarë viti kanë nisur punimet për ndërtimin e xhamive respektive. Ndërkohë,sipas të dhënave të bankave, pas vitit 2010 të dyshuarve përsëri iu vinin transferta të ndryshme nga Turqia, por në shuma të vogla që varionin nga 100 deri 300 euro.

Edhe këto transferta, sipas dosjes hetimore, kishin burim individe të ndryshëm dhe jo organizata të tjera. Hetimet për anëtarët e grupit të muxhahedinëve janë në përfundim dhe se pritet që shumë shpejt dosja në ngarkim të tyre ti kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)