/ATSH/.-Ministri kosovar i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni zhvilloi një vizitë njëditore në Hungari.

Fillimisht është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Hungarisë, Sandor Pinter, e pastaj ka vizituar qendrën e hapur të pranimit të migrantëve ilegalë në Bicske, si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit të Byrosë Federale të Hetimit, sipas  Ministrisë së Brendshme Kosovare.

Në takimin me homologun e tij Pinter, ministri Hyseni vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës sidomos për bashkëpunimin e ngushtë midis dy shteteve për tu përballuar me problematikën e migrimit ilegal të qytetarëve kosovarë, që është kusht themelor i BE-së për heqje të rëgjimit të vizave për Kosovën.
Ministri Pinter shprehi mirënjohjen e tij për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve ndërsa theksoi gatishmërinë e tij dhe të shtetit hungarez për të bashkëpunuar edhe më tej në ballafaqimin me emigrimin ilegal, por edhe çështje tjera me interes të veçantë sikurse është terrorizmi global dhe ekststremizmi i dhunshëm. Palët ranë dakord se zgjidhja më e mirë afatgjate është liberalizimi i vizave për Kosovën që mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë dritën jeshile për të lëvizur lirshëm në zonën e Shengen-it. Ministri Hyseni kërkoi nga homologu i tij përkhrahjen edhe sa i takon antarësimit të Kosovës në Interpol dhe Europol, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtare të bashkëpunimit policor. Pinter siguroi për mbështetjen e fuqishme të Hungarisë që Kosova të antarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë ditës ministri Hyseni ka vizituar edhe qendrën më të vjetër të pranimit në Bicske në të cilën janë të strehuar qindra azilkërkues, përfshi edhe një numër azilkërkuesish kosovarë. Ministri është njohur me kushtet që u ofrohen azilkërkuesve nga Kosova të cilët shfrytëzojnë Hungarinë kryesisht si vend tranzit për të kaluar pastaj në vendet tjera të BE-se si Gjermani, Suedi, etj.

Në njoftimin dërguar nga Budapesti të Ministrisë së Brendshme kosovare shtohet se, është me rëndësi të theksohet se duke qenë se Kosova ka rritur sigurinë në vend, qytetarët e saj nuk do të mund të përfitojnë më azil.

Hyseni foli edhe për angazhimin e qeverisë sa i takon zhvillimit ekonomik të vendit. si një nga shkaktarët e emigrimit. "Qeveria do të bëjë çmos që të përmirësojë këtë gjendje gjatë mandatit të saj", tha ai.

Ministri Hyseni në fund të ditës ka vizituar edhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit të Byrosë Federale të Hetimit në Budapest në të cilën po marrin mësime edhe 16 pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ministri shfrytëzoi rastin për të mbajtur një fjalim para dhjetëra pjesëmarrësve nga Ballkani Perëndimor për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në çështjen e sigurisë si dhe u takua për së afërmi me pjesëmarrësit nga Kosova.