TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi e ka quajtur “kasaphanë” atë që qeveria e drejtuar nga Sali Berisha ka bërë me qindra-mijëra njerëz, duke i larguar nga puna.

“4 muaj janë shumë pak për të harruar gjëmat që qeveria e mëparshme bëri me administratën publike. Nuk ka shqiptar që të ketë harruar se si ish Kryeministri i linte nxënësit pa mësim, për t’i nxjerrë bashkë me mësuesit nëpër sheshe për të mbushur mitingjet e pushtetit të mëparshëm. Sikundër nuk ka shqiptar që të ketë harruar kasaphanën që qeveria e kaluar bëri në administratë. Kasaphanë, për të cilën janë të panumërta vendimet gjyqësore. Kasaphanë, për të cilën janë dëshmitarë qindra e mijëra njerëz të larguar nga puna gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Dhe si për të rifreskuar memorien e çdo shqiptari, ish Kryeministri Berisha, vetëm një javë më parë në parlament, tha: 'Bravo më qoftë që detyroja nëpunësit e shtetit të votonin për mua duke i kërcënuar me bukën e gojës'. Kjo është administrata për të cilën flet Parta Demokratike?"

Ajo vijoi se “Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Evropiane është e përkushtuar që administrata të jetë profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe larg përkatësive politike. Kjo qeveri që në muajt e parë ka përmbushur premtimin për të rritur rrogat e administratës, falë uljes së taksave për 97% të punonjësve.Qeveria e Rilindjes Evropiane është e interesuar që qeveria të jetë profesionale. Ajo përmbushi detyrën, të rrisë pagat e administratës falë uljes së taksës me 70 përqind të shqiptarëve”, theksoi Hysi.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)