TIRANE – Deputetja socialiste Vasilika Hysi ka folur sot për problemet e mëdha të drejtësisë shqiptare dhe faktin që “Kryeministri në ikje do të mbahet mend nga shqiptarët si kryeministri i drejtësisë të mohuar, i drejtësisë të penguar, i drejtësisë të shndërruar në mall, si dhe të drejtësisë të nënshtruar vullnetit të pushtetit të partisë familjare e të korrupsionit. Sot shqiptarët presin drejtësi për Remzi Veselin. Drejtësia pas 3 vitesh nuk është akoma në gjendje të na thotë kush e vrau dhe pse”, - tha ajo.

“Sot shqiptarët presin akoma drejtësi për Fatmiri Xhindin. Drejtësia e kryeministrit në ikje hesht i detyruar të heshtë.  Sot shqiptarët presin drejtësi për 21 janarin. Sot familjarët presin akoma drejtësi për Faikun, Ziverin, Hekuranin dhe Aleksin.

Një gjyq ky, ashtu si dhe gjyqi i Gërdecit, i zvarritur paturpësisht dhe i mbyllur, për këtë drejtësi, por jo për ne, me një vendin sa absurd aq dhe i pritur nga të gjithë.
Ç'drejtësi tjetër mund të presin shqiptarët në dyert e gjykatave të një vendi që qeveriset me padrejtësi?

Aty ku vendi qeveriset për të përmbushur interesa korruptivë të familjes në pushtet, drejtësia nuk bën dot drejtësi. Aty gjykatësit mbyllin sytë përpara mëkateve të qeverisë dhe qeveria mbyll sytë përpara mëkateve të gjykatësve.

Dhe pse tashmë pa imunitet, gjykata dhe prokuroria vazhdojnë të mos kenë vullnetin që të hapin çështjet ndaj ish-ministrave përgjegjës për disa nga këto ngjarje. Dhe pse pa imunitet, asnjë hetim për gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për korrupsion.

Për Partinë Socialiste 21 janari nuk është një nga çështjet e drejtësisë, por është çështja që do të vendosi në themelet e drejtësisë shqiptare të drejtën. Për këtë arsye ne nuk do të heqim dorë për asnjë çast nga rivendosja e drejtësisë në vend dhe vënien përpara saj të vrasësve të 21 janarit, vrasësve të Remziut, të Fatmirit dhe përgjegjësit e Gërdecit”, - përfundoi Hysi.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)