TIRANE - Deputetja e PS, Vasilika Hysi njëherësh dhe bashkëpunëtore në Komisionin e Ligjeve për ndryshimin e Kodit Penal dhe Civil, dënon rastet e vrasjeve në vend si dhe apelon për zbatimin e ligjeve edhe në periudhën e tranizicionit politik që po kalon vendi. “Ngjarjet e fundit po dëshmojnë se kriminaliteti po rritet me shifra të frikshme. Kjo tendencë e kriminalitetit nuk është një risi, por rrjedhojë e gjithë problematikave, me të cilat po përballet shoqëria.

Kjo për faktorë të ndryshëm ekonomik, social, kujdesit të shërbimeve sociale, por dhe mostrajtimit në kohë të problemeve në familje, ç`ka ka sjellë një çarje të familjes shqiptare. Parlamenti në vitin 2012 ndërmorri një nismë për të kriminalizuar dhunën në familje. Për një pjesë të mirë të juristëve kjo u vlerësua si një zgjidhje, çelsi i artë për të parandaluar dhunën në familje. Ne merremi ende me pasojën dhe nuk merremi me shkaqet e kriminalitetit.

Sot ka nevojë për parandalim”, thotë Hysi. Sipas saj rëndësi ka dhe zgjidhja e problemeve të tjera që sjellin dhunën dhe vrasjet. “Meqenëse shumë konflikte në familje janë për shkak të pronës, zgjidhja e problemit të pronës është një çështje tjetër për të zgjidhur. Mos harrojmë që një pjesë e probleme lidhet dhe me traditën dhe kulturën që kanë familjet shqiptare. Është me rëndësi për të kuptuar se sot parandalimi i këtyre krimeve nuk është vetëm në dorën e policisë por dhe shoqërisë. Sot ne jemi në një periudhë të tranzicionit të pushtetit dhe ligji nuk po funksionon”, shprehet Hysi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
                       
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)